Lifestyle

Pandemia spikat përsëri refuzimin e zbatimit të urdhrave

(BBC FUTURE) - Vënia e rripit të sigurimit në makinë apo mbajtja e maskës në fytyrë dihet se shpëtojnë jetë. Por pse disa njerëz refuzojnë ende t’i zbatojnë këto masa, dhe madje protestojnë kundër ligjeve që i imponojnë ato? “Unë thjesht e urrej”, u shpreh një grua kur u pyet pse nuk pranon ta mbajë.

“Unë mendoj se pavarësisht nëse je burrë apo grua, kjo është diçka imponuese”, përgjigjet burri pranë saj. “Jam përgjegjës për veten time, ju nuk mund të më tregoni se çfarë duhet të bëj”, shton ai.

Ky është arsyetimi tipik që mund të prisni të dëgjoni nga protestuesit që refuzojnë të mbajnë maska në ambiente publike gjatë pandemisë.

Si VIP-at?

Kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin, apo edhe skepticizmin nëse mund të shpëtojnë jetë njerëzore. Ata zemërohen kur autoritetet u tregojnë se çfarë duhet të bëjnë. Por të intervistuarit më lart nuk ishin të mërzitur për ligjet që e kanë bërë mbajtjen e maskës të detyrueshme në hapësirat publike në shumë vende. Ata po flisnin për rripat e sigurimit në makinë. Të intervistuarit ishin shoferë britanikë, që pranuan se nuk përdornin rripat e sigurimit në vitin 2008, pavarësisht se kjo ishte një kërkesë e imponuar nga ligji në Britani për të vënë rripin e sigurisë në ulësen e përparme të një automjeti që nga viti 1983, dhe në ulësen e pasme që nga viti 1991.

Krahasimi midis protestave kundër mbajtjes së maskave dhe rripave të sigurimit është shumë popullor. Vipat e kanë përdorur atë për të theksuar se kundërshtarët kanë ekzistuar gjithmonë. Media e nxjerr në pah një përpjekje për të shpjeguar origjinën e protestave kundër një mase që mund të ndihmojë në vënien nën kontroll të përhapjes së pandemisë. Por miratimi i ligjeve për mbajtjen e rripave të sigurisë në makinë ishte shumë më pak i lehtë sesa kërkesa për të mbajtur maska në fytyrë. Gjithsesi mund të mësojmë shumë gjëra nga miratimi i ligjeve mbi rripat e sigurimit dhe masat e tjera të shëndetit publik.

Dallimet ndërmjet shteteve

Pse për shembull duket se ka dallime midis vendeve të ndryshme? Dhe pse disa njerëz janë të përgatitur të sfidojnë një masë shëndetësore, që me siguri do të shpëtojë jetë njerëzore? Ndërsa faktet se rripat e sigurimit shpëtojnë jetë janë të pamohueshme. Ka pasur një periudhë ngurrimi për futjen e tyre në përdorim. Prodhuesit e makinave, kompanitë e sigurimeve, autoritetet e zbatimit të ligjit, politikanët dhe shoferët kishin interesa legjitime për ta vonuar një ligj të tillë.

Për prodhuesit e makinave, çështja ishte kostoja. Në atë kohë shpresohej që rripat e sigurimit të bëheshin të detyrueshëm, pasi ata kishin më pak kosto sesa vendosja e jastëkëve të ajrit. Një jastëk në mesin e viteve 1980 kushtonte deri në 800 dollarë, krahasuar me disa dollarë për rripin e sigurimit. Sikur një ligj të kërkonte pajisjen e të gjithave makinave me jastëk ajri, çmimet e makinave të reja do të rriteshin duke krijuar kështu një mini-tronditje në treg.