Lifestyle

Kthimi i frikshëm në shkollat e Evropës

Në mbarë Evropën, fillimi i vitit të ri shkollor ishte menduar të sinjalizonte një rikthim në normalitet. Vende të tilla, si Italia i mbajtën nxënësit në shtëpi nga marsi deri në pushimet verore. Ndërsa vende të tjera, si Danimarka, lejuan rihapjen e shkollave për pjesën e mbetur të vitit shkollor, pasi të kishte kaluar më e keqja e valës së parë të pandemisë. Të gjithë u përpoqën t’i siguronin prindërit dhe fëmijët, se mësimi tradicional do të fillonte sërish në vjeshtë. Megjithatë, rihapja e planifikuar e shkollave nuk mund të vinte në një periudhë më të keqe sesa kjo. Shumë vende evropiane, nga Spanja në Poloni, po përjetojnë një shtim të frikshëm të rasteve të reja me koronavirus.

Hap e mbyll

Kjo ka detyruar disa shkolla t’i mbyllin sërish dyert e tyre, përfshirë ato në landin verior gjerman Meklenburg-Vorpomern, ku 4 shkolla u mbyllën pjesërisht, pas rihapjes javës së kaluar. Dhe në këtë situatë, nuk ndihmon aspak paqartësia mbi rolin që luajnë shkollat në transmetimin e virusit. Te fëmijët, janë zbuluar shumë më pak raste sesa të rriturit. Por shkencëtarët nuk janë ende të sigurt, se sa ka të ngjarë që fëmijët t’ia kalojnë virusin të tjerëve. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha këtë muaj, se të dhënat sugjerojnë “se rihapja e shkollave nuk është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të transmetimeve në komunitet”.

Por nga ana tjetër e pranoi, se kishte “fakte studimore kontradiktore” mbi ndikimin e mbylljes apo rihapjes së shkollave. E megjithatë, prindërit dhe nxënësit duhet të shqetësohen edhe më shumë, sesa vetëm për rreziqet e mundshme shëndetësore. Sondazhet e fundit kanë zbuluar se mbyllja e shkollave ka pasur efekte negative në edukimin dhe mirëqenien psikologjike të shumë fëmijëve dhe adoleshentëve, ndërsa prindërit e kanë pasur tejet të vështirë ta përballojnë kombinimin e punës në distancë dhe shkollimit të fëmijëve të tyre në shtëpi. Për këtë arsye vendet evropiane po ecin përpara me rihapjet e shkollave, me gjithë rrezikun e valës së dytë të mundshme të COVID-19 këtë vjeshtë. Ja se si 6 vendet e BEsë shpresojnë t’i mbajnë shkollat hapur, dhe në të njëjtën kohë ta mbajnë nën kontroll koronavirusin.

Spanja

Qeveria qendrore nuk ka miratuar ende asnjë datë, ndonëse shkollat e para në disa rajone do të rihapen më 7 shtator. Rekomandimet e Qeverisë përfshijnë distancimin social dhe përdorimin e objekteve, si bibliotekat dhe mensat e shkollës si klasa, për të pasur më shumë hapësira në dispozicion. Ndërkohë, Qeveria rajonale në Katalonjë po punëson 5.000 mësues shtesë, për të krijuar “flluska” të qëndrueshme nxënësish, në mënyrë që t’i kufizojë kontaktet e përgjithshme brenda shkollave dhe t’iu japë mundësi fëmijëve të ndjekin shkollën me maska në fytyrë dhe distancim social. Ndërkohë, rajoni i Madridit synon

t’i punësojë 600 mësues shtesë, teksa ka propozuar 4 plane të ndryshme veprimi, në varësi të situatës, përfshirë pjesëmarrjen e pjesshme në klasa dhe mësimin në distancë. Ndërkaq në rajonin verilindor, La Rioja, autoritetet po propozojnë që nxënësit më të mëdhenj se 14 vjeç të zgjedhin arsimin online ose të vijojnë shkollën pasdite.

Franca

Shkollat këtu janë rihapur më 1 shtator, përveç zonave të deklaruara si zona “të qarkullimit aktiv të virusit”, si Parisi ose Marseja, ku shkollat mund të vijojnë të mbeten të mbyllura. Ministria e Arsimit thotë se nxënësit nuk kanë nevojë të kenë distancim social në zonat ku kjo është e pamundur. Gjithsesi fëmijët më të mëdhenj se 11 vjeç, do të duhet të mbajnë maska brenda dhe jashtë klasës, nëse nuk garantohet një distancë minimale prej 1 metër. Shkollat do të duhet të sigurojnë vetë maska për stafin e mësuesve. Por, Ministria e Arsimit e pranon se ka rezerva vetëm për 3 muajt e ardhshëm. Kësisoj, nxënësit dhe studentët pritet t’i blejnë vetë ato.