Lifestyle

Dallimi i simptomave mes koronavirusit dhe alergjive sezonale

Foto: CDC

Koronavirusi dhe alergjitë sezonale kanë shumë simptoma të ngjashme dhe kanë nxitur shqetësim për prindërit fëmijët e të cilëve tash do të nisin mësimin nëpër shkolla. Për të ndihmuar dallimet mes tyre, Qendra për Kontroll të Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar disa udhëzime që shfaqin dallimet.

“Është vështirë të dallohen alergjitë nga infektimi me COVID, në veçanti pasi të dyja janë në periudhën e ngjashme të vitit, sikur në këtë vjeshtë”, ka thënë për “Fox News”, Fred Davis, mjek i departamentit emergjent në Northwell Healt Long Island në New York.

Dallimet kryesore janë temperatura dhe ethet që ngjajnë te COVID-19 dhe jo te alergjitë sezonale.

“Të dyja mund të çojnë në rrjedhje të hundëve e kollë. Dallimi më i madh është temperatura, ata që janë me simptoma të alergjisë nuk kanë temperaturë, ndërsa ata me COVID-19 zakonisht kanë temperaturë (për shembull më shumë se 38 gradë)”, ka thënë ai.

Po ashtu, sytë me lot, kruerja dhe teshtima janë simptoma që më shumë lidhen me alergjitë se me koronavirusin.

Simptomat e COVID-19 që nuk janë prezentë edhe te alergjitë janë lodhja dhe dhimbja e muskujve, nausea, diarreja e humbja e shijes.