Grupi farmaceutik “AstraZeneca” ka filluar testimet klinike të një ilaçi, i cili është kombinim i antitrupave ndaj virusit SARS-Cov-2, me qëllim që të ndihmojë në parandalimin dhe trajtimin e COVID-19.
Ndërkaq këtë ilaç potencial tashmë kanë filluar që ta marrin vullnetarët e parë.
Kompania, e cila ndaras po punon edhe në zhvillimin e një vaksine potenciale kundër COVID-19 bashkë me shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, ka bërë të ditur se ilaçi, i njohur si AZD7442, ngërthen në vete kombinim të dy llojeve të antitrupave monoklonalë.
“AstraZeneca” ka njoftuar se testimi, i cili do të përfshijë mbi 48 vullnetarë të shëndetshëm në Britaninë e Madhe të moshave prej 18 deri 55-vjeçare, do të përqendrohet në sigurinë dhe në reagimin e trupit ndaj ilaçit dhe se si do ta përpunojë atë.
Grupi ka bërë të ditur se testimi përbën një të arritur historike në rrafshin e zhvillimit të ilaçit, i cili ka potencialin për të vepruar si parandalues tek personat që i ekspozohen virusit, si dhe për të trajtuar pacientët që veçse janë infektuar me virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Sir Mene Pangalos, nënkryetar ekzekutiv i programit të zhvillimeve dhe hulumtimeve biofaramaceutike në “AstraZeneca”, ka thënë se ky testim “është një moment i rëndësishëm historik në zhvillimin e kombinimit të antritupave tanë monoklonalë për ta parandaluar apo trajtuar COVID-19”.
“Ky kombinim antitrupash, shoqëruar me teknologjinë e gjerë që e kemi për dispozicion, ka aftësinë për ta përmirësuar efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e përdorimit, përveç uljes së gjasave të rezistencës virale”.