Lifestyle

Pse disa të infektuar me COVID-19 nuk kanë kurrfarë simptomash?

Shumë të infektuar me COVID-19 nuk shfaqin kurrfarë simptomash. E të tjerë, sëmuren shumë rëndë e disa vdesin.

Shtatë muaj në pandemi, por shkencëtarët ende janë duke provuar të zbulojnë arsyen pse?!

Ka disa teori. Një prej tyre është ekspozimi paraprak ndaj viruseve tjera. Kjo u ndihmon në luftimin e koronavirusit.

Ekzistojnë katër koronaviruse që janë më pak vdekjeprurëse por që shkaktojnë ftohje të zakonshme.

Studiues në Institutin La Jolla për imunologji patën publikuar më herët disa gjetje të reja që pasqyronin atë se si reagojnë sistemet imunitare të njerëzve ndaj COVID-19. Kur disa persona që ishin të infektuar më herët me COVID-19 ekspozoheshin ndaj virusit, sistemi i tyre imunitar kishte reagim të fortë sepse tashmë e dinte organizmi se si dukej apo luftohej virusi.

Por, ajo çka zbuluan këta shkencëtarë e që ishte edhe më interesante, ishte se rreth 40-60 për qind e personave që s’kishin pasur koronavirus, sistemet e tyre imunitare gjithashtu reaguan fortë ndaj virusit. Studiuesit thanë se është e mundur që trupat e tyre ta “njohin” koronavirusin për shkak se i janë ekspozuar më herët viruseve të ngjashme si koronavirus, por që shkaktojnë ftohje të zakonshme.

“Reaktiviteti imunitar mund të përkthehet në shkallë të ndryshme të mbrojtjes”, tha Dr. Alessandro Sette, profesor në Institutin La Jolla.

Është shumë e mundur, tha ai, që infeksionet tuaja të mëparshme me të ftohtin e zakonshëm t’iu japin sistem të fortë imunitar, duke bërë kështu që ta mundni e ta luftoni më lehtë koronavirusin që e shkakton COVID-19.

Shumë viruse hyjnë në nën kategori të koronavirusit, përfshirë këtu ato që shkaktojnë ftohje të zakonshme, grip, SARS e MERS.

Ndërkohë që disa thonë se koronavirusi do të jetë prezentë përgjithmonë, e disa që do të përfundojë brenda disa vitesh, studiuesit janë duke tentuar të zbulojnë arsye tjera se pse disa s’kanë kurrfarë simptomash edhe pse preken me virus.