Lifestyle

Koronavirusi, këndimi s’është më i rrezikshëm se të folurit

Foto: BBC

Këndimi nuk prodhon më shumë spërkla se të folurit nëse është në të njëjtën lartësi zëri, sipas një studimi të ri për rreziqet e mundshme për shpërndarjen e koronavirusit. Por gjithçka varet nga lartësia e zërit që bën njeriu, qoftë duke kënduar apo duke folur.

Projekti, i quajtur “Perform”, ka monitoruar sasinë e aerosolëve dhe spërklave që lëshohen nga performuesit. Aerosolët janë grimca të vogla që dalin nga trupi dhe notojnë në ajër.

Ka dëshmi të shumta që koronavirusi mund të shpërndahet përmes këtyre grimcave dhe spërklave që bien në sipërfaqe dhe më pas preken.

25 muzikantë profesionistë kanë marrë pjesë në studimin e kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Bristolit në Britani të Madhe.

Ata kryen disa ushtrime, duke përfshirë edhe këndim të këngës për ditëlindje në volume të ndryshme, në një hapësirë ku s’kishte grimca të tjera prezentë.

Kjo ua mundësoi hulumtuesve të analizonin aerosolët e prodhuar nga zëra specifikë.

Ata gjetën se lartësia e zërit kishte ndikimin më të madh në prodhim të aerosolëve. Nëse dikush flet apo këndon me zë më të lartë, mund të gjenerohen deri 30 herë më shumë aerosolë. Ventilimi mund të ketë po ashtu efekt se si zhvillohen aerosolët.

Jonathan Reid, profesor në Universitetin e Bristolit, dhe një nga autorët e studimit, ka thënë se studimi mund të shërbejë si bazë shkencore për rekomandimet që ngjarjet e artit të mbahen në mënyrë të sigurt për performuesit dhe audiencat, duke siguruar që hapësirat janë të ventiluara sa duhet për të ulur rrezikun e transmetimit të grimcave.

“E di se këndimi është pasion dhe argëtim i rëndësishëm për shumë njerëz për të cilët jam i sigurt se do të më bashkohen që të mirëpresim gjetjet e këtij studimi të rëndësishëm. Kemi punuar afër me ekspertë mjekësorë përgjatë krizës që të zhvillojmë mësimet nga COVID-19 dhe tani kemi përditësuar udhëzimet tona pas gjetjeve ashtu që njerëzit të mund të kthehen nëpër performanca të ndryshme bashkë”, ka thënë Sekretari i Kulturës në Britani të Madhe, Oliver Dowden.

“Ky hulumtim i rëndësishëm sugjeron që s’ka rrezik specifik të transmetimit të virusit përmes këndimit. Të folurit me zë të lartë dhe këndimi kanë të njëjtin rrezik”, ka thënë Rupert Beale i Institutit “Francis Crick”.

Në anën tjetër, profesori i Universitetit të Leicesterit, Julian Tang, ka thënë se rreziku shtohet kur këndojnë bashkë një grup këngëtarësh. Sipas tij, studimi nuk përfaqëson rrezikun e plotë, por se duhen më shumë studime të ngjashme.

Si pasojë e COVID-19 në botë kanë vdekur më shumë se 789 mijë njerëz. Janë regjistruar 22.5 milionë të prekur.