Çelësat e shtëpisë, kuleta ose çanta, telefoni dhe….. ah, po: maska për fytyrë. Ato janë të bezdisshme për shumë njerëz, por në të njëjtën kohë janë të domosdoshme në përballjen me armikun e padukshëm vrasës. Maskat me material të hollë, por që mund të shpëtojnë jetë janë bërë pjesë e listës së domosdoshme të gjërave që duhet t’i marrim me vete kur dalim nga shtëpia, për miliarda njerëz në botë.
Si virusi
nga koha e zbulimit të këpucëve apo të rrobave të brendshme, asnjë pjesë e veshjeve nuk është përhapur më shumë dhe më shpejt sesa maskat e fytyrës. Që nga Melbourni në Mexico City, Beijingu në Bordeaux, duke thyer kështu kufijtë, kulturat, gjeneratat dhe gjinitë me shpejtësinë e njëjtë si përhapja e koronavirusit, që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 600.000 njerëzve dhe ka infektuar më shumë se 15 milionë. Si e tillë, sikur edhe shprehitë e tjera të njerëzve, maska është shndërruar në pasqyrë të njerëzimit.
Shumë njerëz, me nivele të ndryshme të përkushtimit, janë adaptuar me sikletin që t’i maskojnë organet e frymëmarrjes si masa të rëndësishme mjekësore me besimin se njerëzit janë të kujdesshëm në esencë dhe të aftë të sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme.
Por prapë ajo çfarë është e qartë nga qëndrimi që disa njerëz kanë kundër përdorimit të maskave, sidomos në shtetet demokratike, është se shumë njerëz nuk pëlqejnë të urdhërohen të bëjnë diçka dhe nuk u besojnë të dhënave shkencore se maskat e ndalojnë kontaminimin.
Që nga koha e shpërthimit të pandemisë COVID-19, Prem Pal, një pjesëtare e lartë e sigurimit në një pallat rezidencial në New Delhi, i ka këshilluar njerëzit ta mbajnë maskën në mënyrën e duhur.
Sfidë e madhe
Madje edhe pesë muaj pas pandemisë, ajo thotë se ende ka njerëz që duhet t’u përkujtohet përdorimi i duhur i maskës. “Disa njerëz e mbulojnë vetëm gojën pa e mbuluar fare hundën, ne i këshillojmë që është e rëndësishme të mbulohet hunda, sepse mosmbulimi i saj mund të jetë edhe më i rrezikshëm”, ka thënë Prem Pal.
Ulja e numrit të rasteve me infeksionin COVID-19 në një qytet me 20 milionë banorë është një sfidë e madhe për autoritetet qeveritare. Bartja e maskave në vende publike është bërë e obligueshme nga qeveria lokale, ndërsa ata që e shkelin këtë masë mund të dënohen me 500 ruple (pak më shumë se 6 dollarë amerikanë për shkeljet e para). Bartja e maskave është rigoroze në Hong-Kong që nga janari.
Qeveria ka shpallur vetëm rregullore për përdorimin e maskave në vende publike, por edhe pa vendosjen e rregullave nga qeveria, shumica absolute e banorëve të Hong-Kongut kanë bartur maska për muaj me radhë.