Lifestyle

A po e bëjnë mutacionet më infektues koronavirusin

Sars-Cov-2, emri zyrtar i virusit i cili shkakton sëmundjen Covid-19, dhe vazhdon ta dërrmojë botën, është duke përjetuar mutacion.

Por gjersa shkencëtarët kanë vërejtur me mijëra mutacione apo ndryshime në materialin gjenetik të virusit, vetëm një mutacion i spikatur deri tani mund të jetë shkaktar i ndryshimit të mënyrës se si vepron.

Pyetja kryesore për këtë mutacion është: a e bën virusin më infektues apo vdekjeprurës tek njerëzit? Dhe a është kërcënim për suksesin e një vaksine në të ardhmen?

Ky koronavirus në fakt po ndryshon shumë ngadalë, krahasuar më virusin e gripit. Me nivele relativisht të ulëta të imunitetit tek njerëzit, pa vaksinë dhe trajtime efektive, nuk ka presion që të ndryshojë dhe adaptohet. Po i ecën mirë në përhapje kështu si është tani.

Mutacioni në fjalë, i quajtur D614G që gjendet në proteinën e cila e përbën “thumbin” e virusit, me të cilën hyn në qelizat tona, u shfaq pas shpërthimit fillestar në Wuhan, dhe me siguri gjersa ishte në Itali. Tani gjendet në 97% të mostrave të marra në tërë botën, shkruan BBC.

Shumica e virologëve tani besojnë, ashtu si shpjegon Dr Thushan de Silva nga Universiteti i Sheffieldit, se ka mjaft të dhëna që ky version ka “përparësi selektive” mbi versionin fillestar, raporton BBC, transmeton KOHA.

Edhe pse ende nuk ka mjaft dëshmi të thuhet se “është më infektues” në njerëz, thotë ai, një gjë e sigurt është se ndryshimi “nuk është neutral”.

Kur studiohet në laborator, virusi që ka përjetuar mutacion është më i aftë të futet në qelizat njerëzore se sa versioni fillestar, thonë profesorët Hyerun Choe dhe Michael Farzan nga Universitetin Scripps në Floridë. Ndryshimet në proteinën e thumbave që ka virusi po i ndihmojnë që ”të ngjitet më lehtë në qeliza dhe të funksionojë në mënyrë më efektive”.

Jashtë laboratorit, ka dëshmi indirekte se ky mutacion po e bën virusin më të bartshëm tek njerëzit. Dy studime kanë sugjeruar se pacientët me virusin në mutacion kanë përmbajtje më të madhe të virusit në mostrat që merren për testim. Kjo mund të thotë se kanë qenë më infektues për tjerët.

Por ky studim nuk gjeti se këta pacientë patën simptoma më të rënda apo kaluan kohë më të gjatë në spital.

Në përgjithësi, kur virusi bëhet më infektues nuk do të thotë se bëhet edhe më vdekjeprurës, në fakt shpesh është e kundërta. Nuk ka dëshmi se ky virus ka përjetuar mutacion për t’i bërë pacientët më shumë ose më pak të sëmurë, transmeton KOHA.

Gjithashtu, shumica e vaksinave që po zhvillohen janë të bazuara në një pjesë tjetër të thumbave andaj mutacioni nuk duhet të ketë ndikim në zhvillimin e tyre. Dhe ka disa dëshmi që forma e re e virusit ka ndjeshmëri të njëjtë ndaj antitrupave të cilët mbrojnë nga virusi, qoftë ngase e keni kaluar infeksionin apo jeni vaksinuar.

Por ngase shkenca prapa Covid-19 po lëvizë shumë shpejtë, është një fakt të cilin të gjithë shkencëtarët do ta shikojnë dhe studiojnë për së afërmi edhe më tej.