Lifestyle

Studimi i antitrupave në Spanjë shton dëshmi kundër teorisë së “imunitetit të tufës”

Foto: Reuters

Studimi i një numri të madh të njerëzve në Spanjë tregon se vetëm 5% e popullatës së këtij shteti kanë zhvilluar antitrupa kundër koronavirusit, duke e forcuar më tutje dëshminë se i ashtuquajturi “imuniteti i tufës” ndaj Covid-19 është i “paarritshëm’, u raportua në revistën Lancet të hënën.

Gjetjet tregojnë se 95% e popullatës së Spanjës ende mbetet e rrezikuar nga virusi. “Imuniteti i tufës” arrihet kur një numër i mjaftueshëm i popullatës është infektuar, ose janë vaksinuar, në mënyrë që të ndalon qarkullimi i virusit, shkruan CNN.

Qendra Evropiane për Kontroll të Sëmundjeve tha për CNN se hulumtimi i bërë në Spanjë, ku u morën mostrat e 61,000 pjesëmarrësve, është studimi më i madh serologjik i bërë gjerë tani, transmeton KOHA. 

Studime të ngjashme janë bërë edhe në Kinë dhe SHBA dhe “gjetjet kyçe nga këto hulumtime kanë treguar se shumica e popullatës ende nuk është ekspozuar ndaj Covid-19, edhe në rajonet ku pa pasur qarkullim të gjerë të virusit”, u tha në shkrimin e botuar në Lancet, transmeton KOHA.

“Në dritën e këtyre gjetjeve, çfarëdo propozimi që ‘imuniteti i tufës’ të arrihet me anë të infektimit natyral jo vetëm që është shumë jo etik, por edhe i paarritshëm”, thanë autorët e shkrimit në Lancet, Isabella Eckerle, kryetarja e Qendrës për Sëmundjet e reja virale në Gjenevë, dhe Benjamin Meyer, virolog në Universitetin e Gjenevës.

Mjekët nuk janë të sigurt nëse antitrupat ndaj koronavirusit mbrojnë nga infektimi i serishëm, dhe nuk është ende e qartë se sa mirë na mbrojnë antitrupat nga vetë virusi.