Lifestyle

E pazëvendësueshmja Omega3

Romë, 22 qershor – Kimikisht, Omega3 janë acide yndyrore thelbësore, domethënë komponime që trupi nuk është në gjendje t’i sintetizojë dhe për këtë arsye duhet të futen me ushqim, shkruhet në faqen italiane të internetit salutemagazine.com.

Në natyrë ekzistojnë lloje të ndryshme të Omega3 si acidi alpha linolenik (ALA), me origjinë bimore dhe zinxhiri i gjatë Omega3, i përfaqësuar nga acidi eikosapentaenoik (EPA) si dhe acidi dokosahexaenoic (DHA), që gjendet te peshqit.

Omega3 ka veti të shumta të dobishme që ushtrohen mbi të gjitha në sistemin kardiovaskular falë aftësisë së tyre për të zvogëluar trigliceridet në gjak, presionin e gjakut dhe grumbullimin e trombociteve (dhe për këtë arsye edhe formimin e trombit në gjak).

Agjencia Evropiane e Sigurisë së Ushqimit (EFSA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sugjerojnë marrjen e të paktën 250 miligram të këtyre acideve yndyrore çdo ditë për të kontribuar në funksionimin normal të zemrës.

Ku e gjejmë Omega3?

Omega3 janë të pranishme te peshku, sidomos te salmoni, toni dhe sardelet, në vajin e lirit dhe vajin e lajthisë si edhe te bajamet dhe arrat.

Për të lehtësuar marrjen e Omega3 do të ishte e këshillueshme që të konsumoni 2 deri në 3 vakte me peshk në javë, mundësisht të gatuar në furrë, të zier ose të pjekur.

Dieta mesdhetare, e karakterizuar nga prania e frutave, perimeve, peshqve, vajit të ullirit ekstra të virgjër, ofron një furnizim të mirë me Omega3, por shumë shpesh nuk ndiqet në mënyrë adekuate.

Në këto raste, vaji i peshkut, i pasur me Omega3, mund të përfaqësojë një shtesë të vlefshme ushqimore.