Lifestyle

Tërhiqen dy studimet “alarmuese” për COVID-19

Descriptive Text

Dy publikime, të botuara në revista të njohura shkencore, kanë rezultuar me të dhëna të jashtëzakonshme dhe kanë ndërruar kursin e hulumtimit për pandeminë e koronavirusit. Njëri studim zhvlerësonte pretendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se ilaçe të caktuara kundër malaries mund të shërojnë COVID-19, sëmundjen të shkaktuar nga virusi korona, duke nxjerrë përfundimin se medikamentet në fakt ishin të rrezikshme për pacientët. Tjetri kishte nxjerrë përfundimin se disa ilaçe të presionit të gjakut nuk e rrisnin rrezikun e COVID-19 dhe se mund të ishin edhe të dobishme për mbrojtjen nga kjo sëmundje.

Dyshimet

Dy studimet ishin kryesuar prej një profesori në Harvard dhe që të dyja vareshin prej një databaze të madhe ndërkombëtare të të dhënave mjekësore të pacientëve, për të cilat kishin dëgjuar pak ekspertë. Por, studimet janë tërhequr prej revistave shkencore në të cilat ishin botuar, “The New England Journal of Medicine” dhe “The Lancet”, sepse autorët nuk kanë mundur të verifikonin të dhënat mbi të cilat ishte nxjerrë edhe rezultati. Dhe tërheqja mund t’i japë shtytje të re përdorimit të ilaçeve antimalarie, hiroksiklorokinë dhe klorokinë, të promovuar paprajshëm nga presidenti Trump, si medikamente për shërimin e COVID-19, ani pse kurrkush nuk ka ofruar dëshmi shkencore për efektet e tij pozitive te pacientët me virusin korona.

Pas vendimit për tërheqje të botimeve, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të nisë testet e reja me këto ilaçe. Megjithatë, tërheqja ka ngritur edhe dyshime serioze në mesin e njerëzve të botës shkencore të shëndetit publik në kohën kur po bëhen hulumtime për t’ia gjetur ilaçin eventual virusit me kurorë, që deri tani ka marrë jetën e katërqind mijë të prekurve në krejt botën. Shkencëtarët kanë thënë se shkrimet e shumta nëpër portale, ku nuk ka vlerësime shkencore për efektin e ilaçeve, rrezikojnë të ndikojnë së pari në shëndetin e pacientëve dhe se mund të dëmtojnë imazhin e shkencës në kohën kur virusi po përhapet shpejt dhe njerëzit po mundohen të përdorin edhe ilaçe alternative që nuk janë pjesë e protokolleve të aprovuara nga institucionet dhe autoritetet përkatëse të shëndetit publik.

Keqardhja e kryesuesit

“Nuk isha siguruar mjaftueshëm se burimi i të dhënave ishte i duhuri për këtë përdorim”, ka deklaruar doktori Mandeep Mehra, autori në krye të të dy studimeve, raporton prestigjiozja amerikane NYT. “Për këtë arsye dhe për krejt paqartësitë – të drejtpërdrejta dhe të tërthorta – përnjëmend shpreh keqardhje”. Studimi për klorokinën dhe hidroksiklorokinën është botuar në fund të majit, në “The Lancet”.

Edhe pse ka pasur shenja të tjera për efektet anësore të lidhura me ilaçet, testet klinike ishin ndërprerë në krejt botën gjatë kohës derisa po bëheshin vlerësime shkencore të studimit. Por, dyshimet ishin ngritur pothuajse menjëherë lidhur me parregullsitë e mundshme të lidhura me të dhënat e përdorura për të shtruar analizën, sikurse edhe në studimin e mëparshëm të doktor Mehras për sëmundjen e zemrës, të botuar më parë në “The New England Jorunal of Medicine”.