Lifestyle

Një prej dhjetë të prekurve nga COVID-19 me diabet vdes brenda një jave

Një prej dhjetë pacientëve me koronavirus e që vuajnë nga diabeti, vdes brenda shtatë ditëve pas hospitalizimit. Ndërkohë njërit prej pesë pacientëve i duhet ventilatori për frymëmarrje, sipas një studimi të ri të studiuesve francezë.

Ekspertët mjekësorë vlerësojnë se diabeti i vë pacientët në rrezik më të madh për zhvillim të simptomave më të rënda të COVID-19. Studimi i publikuar në revistën “Diabetologia Thursday” duket se konfirmon këtë, ka shkruar CNN.

Studiuesit kanë përcjellë 1300 pacientë me koronavirus në 53 spitale në Francë, prej 10 marsit deri më 31 mars.

89 për qind kanë qenë me diabet të tipit 2, kurse tre për qind të tipit 1. Të tjerët kanë pasur forma tjera të sëmurjes. Shumica e pacientëve kanë qenë burra, kurse mosha mesatare e pacientëve në studim ishte 70 vjet.

Në ditën e shtatë të studimit, 29 për qind të pacientëve kanë qenë ose në ventilator ose të vdekur. Studimi thotë se një në pesë pacientë kanë qenë në ventilator dhe se një në dhjetë pacientë kanë vdekur. 18 për qind prej pacientëve janë liruar nga spitali.

Pacientët me komplikime diabetike kishin dy herë më shumë gjasa për të vdekur brenda një jave, vlerësojnë studiuesit. Ata po ashtu kanë gjetur që pacientët 75-vjeçar apo më të vjetër kanë 14 herë më shumë gjasa të vdesin se pacientët më të rinjtë se 55-vjeçar. Pacientët nga mosha 65-vjeçare deri në moshën 74-vjeçare kanë tri herë më shumë gjasa se ata më të rinj se 55-vjet.