Lifestyle

Rikthehen makiatot e espresot

Lokalet për më shumë se dy muaj qëndruan të mbyllura dhe nuk i shërbyen askujt.

Mungesa e zhurmës e të qeshurat që krijoheshin dikur në lokale, shoqëruar me aromën e kafesë u ndie më së shumti.

E për hapjen e kafeneve nuk iu gëzuan vetëm qytetarët, por edhe vetë punëtorët.

Andi Emra ka 4 vjet që është punëtor i rregullt në kafenenë Half and Half në Prishtinë.

Gjatë këtyre viteve, përveç shërbimit që ka kryer, shton se ka krijuar shumë miqësi me klientët që vazhdimisht vijnë këtu.

Rrëfen se kafeja e mëngjesit me klientë i ka munguar më së shumti.

Rruga “Rexhep Luci”, është pjesa që më së shumti frekuentohet nga qytetarët për shërbim me kafe.

Në Strip Depo janë 15 vjet që Driton Berisha ka shërbyer aty.

E ata që dikur çdo ditë e vizitonin për çdo ditë këtë vend, siç tregon Dritoni, me rihapjen e kafenesë, klientët nga malli që kishin, kanë hyrë edhe brenda për të parë mjedisin.

Në vend makiatot e espresot janë më të kërkuarat, e edhe arti në kafe i punuar nga Erkan Dogani është ajo që më së shumti i tërheq klientët në kafenenë ku shërben ai.

Kafja turke është ajo me të cilën gjetën zëvendësimin shumë qytetarë në kohën e pandemisë.

Kërkesa për këtë lloj kafe është rritur si asnjëherë më parë, e këtë e thotë edhe kafexhiu, Naim Sylejmani, i cili bluan kafe që nga viti 1989.

Që nga e hëna janë hapur lokalet e kafesë në kryeqytet, dhe mundësia e vetme e shërbimit në këtë kohë është që të marrin kafetë me vete.