Shumica e amerikanëve kurrë më parë nuk kanë pasur nevojë të mbajnë maska për shkak të shëndetit, e lëre më derisa janë duke i kryer blerjet ushqimore apo duke dalë për vrapim.
Andaj, teksa bizneset dhe shtetet janë duke i detyruar qytetarët që të mbajnë maska, rebelimi rezulton të jetë një përgjigje e natyrshme, ama deri në një masë, ka thënë David Aronoff, profesor i mjekësisë dhe drejtor i Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Qendrës Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.
Sidoqoftë, ai u bën thirrje amerikanëve që ta konsiderojnë kërkesën për bartjen e maskave jo si një detyrim, por si një akt i domosdoshëm solidariteti: mbajtja e maskës mund të ndalë infektimin nga njerëzit që në dukje janë të shëndetshëm, por që mund të infektojnë të tjerët me koronavirus, ngase janë asimptomatikë.
“Të gjithë shpresojmë që kjo pandemi do të zhduket”, ka thënë ai. “Dhe atëherë nuk do të nevojitet të kemi kujdes kaq shumë. Por tash për tash, me të vërtetë mbrojtja e mirëqenies sonë varet nga besimi dhe mirësia e të tjerëve. Dhe kjo është pjesë e të qenit amerikan”.
Maska, si shkelje e lirive
Edhe pse mbajtja e maskave nuk është e detyrueshme në shumicën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshtrimi karshi këtyre rregullave, për disa, mund të duket si tradhti ndaj lirive të tyre.
Njerëzit në mënyrë të natyrshme rebelohen, kur dikush u tregon se çfarë të bëjnë, edhe pse këto masa janë për mbrojtjen e tyre, ka thënë Steven Taylor, psikolog dhe autor i librit “Psikologjia e Pandemisë”.
“Njerëzit i çmojnë liritë e tyre”, ka thënë ai. “Mund të shqetësohen ose indinjohen apo edhe të mllefosen emocionalisht kur të tjerët ndërhyjnë në liritë e tyre”.
Aronoff krahasoi rregullat për mbajtjen e maskave me ato të ndalimit të konsumimit të duhanit në restorante apo shkolla.
“Ekzistojnë rregullat për moskonsumimin e duhanit në restorante të mbyllura dhe kafene, sepse ai tym mund të shkatërrojë shëndetin e dikujt tjetër”, ka thënë ai. “Tani, jemi në një situatë ku, nëse jeni i infektuar me virusin e Covid-19, frymëmarrja mund të jetë vdekjeprurëse për dikë tjetër”. Por përderisa ligji për duhanin është i përhershëm, mbajtja e maskave nuk do të jetë, shton Aronoff.
Sidoqoftë, për kundërshtarët e zëshëm, edhe rregullat e përkohshme janë lëshim i madh.
Në Michigan, ku para pak kohe më shumë se 700 protestues dolën para qeverisë për të protestuar kundër izolimit në shtëpi, bartja e maskave është e domosdoshme nëpër dyqane dhe biznese. Këtë muaj, policia ka njoftuar se një punonjës i sigurimit për “Michigan Family Dollar” u qëllua dhe u vra nga një blerës, të cilit iu kërkua që të vendoste maskën. Po ashtu në Michigan, një blerës fshiu fytyrën e tij në bluzën e një punonjësi në një shitore, pasi që, sipas policisë, u lut që ta vinte maskën.
Ndërsa në qytetin Stillwater të Oklahomas, ditën që u lëshua një rregull emergjent për mbajtjen e maskave, qytetarët kërcënuan me dhunë dhe ligji u tërhoq menjëherë.
“Shumica e njerëzve që i kundërshtojnë këto rregulla citojnë besimin e gabuar që kërkesa është antikushtetuese, dhe sipas teorisë së tyre askush nuk mund t’i detyrojë që të bartin maska”, ka thënë drejtuesi i këtij qyteti. “Asnjë ligj ose gjyq nuk e përkrah këtë pikëpamje”, ka shtuar ai.
Shenjë e dobësisë
Për disa, bartja e maskave mund të paraqesë dorëzimin kundruall një frike, më të cilën nuk jemi përballur ndonjëherë, ka thënë David Abrams, psikolog dhe profesor i shkencave sociale në Shkollën e New Yorkut për Shëndetin Publik Global. Shumica e shohin mbajtjen e maskës si një simbol të qartë të dobësisë dhe si mënyrë për t’ia demonstruar tjetrit frikën prej virusit. Andaj, për të kompensuar këtë frikë dhe për të shfaqur fuqi, njerëzit e refuzojnë apriori vendosjen e maskave, pretendon ai.
Për njerëzit që zgjedhin të mos mbajnë maska, “vënia e maskës është njëjtë si të thuash ‘hej, jam një lepur frikacak’”, ka thënë Abrams.
Edhe pse frika është e natyrshme, shumica prej tyre nuk guxojnë ta shfaqin. Abrams thotë se këtë tipar ua kemi borxh paraardhësve tanë. Në botën e gjitarëve, kafshët fshehin frikën dhe nuk ua tregojnë kafshëve të tjera, për ta mbajtur veten të sigurt. Është tipar i evolucionit, i cili mund t’i shpjegojë tendencat tona sot, kur siguria jonë kolektive është e kërcënuar, tha ai. \ CNN