Washington, prill (The Guardian) – Qiejt po kthjellohen nga ndotja, bota shtazore po u kthehet ujërave më në fund më të pastër, fluturimet janë ndalur, ndërsa nafta e papërpunuar është tash aq e pavlerë saqë industria po detyrohet të japë para për ta hequr nga dora.
E vetëm pak muaj më parë, ambientalistët do të mund vetëm të ëndërronin se një skenar i tillë mund të bëhej realitet, pikërisht në kohën e 50-vjetorit të Ditës së Tokës.
Por, realiteti i ri skajshmërisht i gjelbëruar po gjeneron gëzim jo fort të madh, duke e pasur parasysh faktin se pandemia e koronavirusit po e godet rëndë shumicën e botës.
“Kjo nuk është mënyra sesi do të donim të ishin gjërat. A Zot, jo aspak”, ka thënë Gina McCarthy, ish-shefe e Agjencisë për Mbrojtjen e Ambientit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë administratës së presidentit, Barack Obama, shkruan sot Koha Ditore.
“Kjo është thjesht një katastrofë, e cila i ka nxjerrë në pah sfidat me të cilat përballemi. S’ka asgjë për t’u festuar këtu”, ka shtuar ajo.
Dita e Tokës, e cila u shënua gjatë së mërkurës kryesisht vetëm në hapësirën e botës virtuale, vjen sivjet e shoqëruar me kufizimet e imponuara për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19. Por krejt këto masa kanë rezultuar me rënien e konsiderueshme të shkallës së ndotjes në Kinë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emetimi i karbonit nga djegia e karburanteve është evidentuar të ketë rënë për pesë për qind në normë vjetore – që është një shifër rekorde.
Ujërat në qytetin e Venecias tanimë janë kthjelluar si asnjëherë më parë, luanët po dalin nëpër rrugët që rëndom frekuentoheshin vetëm nga vizitorët e xhunglave të Afrikës së Jugut teksa arinjtë dhe kojotët po sillen nëpër vendet e akomodimit të njerëzve, si në parkun kombëtar Yosemite në Kalifornia të SHBA-së.
{gallery}
Ndërkohë, pothuajse tetë nga çdo 10 fluturimet nëpër botë tanimë janë pezulluar. Shumë aeroplanë në SHBA po transportojnë tani vetëm numër të vogël udhëtarësh. Industria e naftës, një ndezëse kjo e krizës klimatike dhe e katastrofës ambientale, është vënë në gjendje pasigurie, duke e pasur parasysh faktin se çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar ka rënë në shifra të pashembullta: nën 40 dollarë.
Këto do të mund të ishin vetëm rezultat i politikave strikte për mbrojtje të ambientit në vitin 1970, kur u shënua për herë të parë Dita e Tokës, në kohën kur 20 milionë amerikanë dolën në mbështetje të masave kundër ndotjes së mjedisit.