Lifestyle

Përse burrat janë më të rrezikuar se gratë nga koronavirusi

Foto: Reuters

Tashmë është dokumentuar se Covid-19 diskriminon njerëzit në bazë të moshës e gjendjes shëndetësore.

Por, është bërë shumë e dukshme se bën diskriminim gjinor, me burrat me gjasat më të mëdha për të rezultuar pozitiv dhe me gjasa më të mëdha për të vdekur nga kjo sëmundje, shkruan The Guardian.

Ky trend së pari është parë në Kinë, ku nga një analizë është gjetur se përqindja e vdekjes te burrat është 2.8% krahasuar me 1.7% te gratë, transmeton KOHA.

Që nga atëherë, e njëjta është pasqyruar edhe në Francë, Gjermani, Iran, Itali, Korenë Jugore dhe Spanjë.

Në Itali, të dhënat tregojnë se 71 për qind e të vdekurve janë burra, derisa në Spanjë dyfish më shumë burra se gra kanë vdekur.

Atëherë, pse burrat janë më të rrezikuar?

“Përgjigja e sinqertë është se asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë po e shkakton këtë diferencë”, thotë Sarah Hawkes, drejtoreshë e Qendrës UCL për Gjininë dhe Shëndetin Global.

Më herët, duhanpirja ishte shpjegimi më i mirë për këtë. Në Kinë, afër 50 për qind të burrave tymosin, e gratë vetëm 2 për qind. E për shkak të këtij ndryshimi në shëndetin e mushkërive kontribuon që burrat të vuajnë nga simptomat dhe rezultatet më të këqija.

Por, disa studime gjithashtu kanë treguar se burrat janë më shumë të prirë që të mos pastrojnë duart, më pak gjasa që të përdorin sapun të lëngshëm, me gjasë më të madhe që të mos kërkojnë ndihmë mjekësore dhe me shumë gjasë të injorojnë këshillat publike mjekësore.

Këto janë përgjithësime gjithëpërfshirëse, por burrat janë më të rrezikuar në një popullsi.

Megjithatë, ekspertët kanë filluar të besojnë se këtu luajnë rol edhe më shumë faktorë fondamental biologjik.

Hulumtimet gjithashtu tregojnë se burrat kanë reagim imun të lindur më të ulët antivirale ndaj një varg infeksionesh, përfshirë këtu edhe hepatitin C dhe HIV-in.

Studimet tek minjtë sugjerojnë se kjo mund të jetë e vërtetë edhe në rastin e koronavirusit, megjithatë Covid-19 në mënyrë specifike nuk është studiuar ende.

E rol këtu mund të luajnë edhe hormonet – estrogjeni është treguar se rrit përgjigjen antivirale ndaj qelizave imune. Dhe shumë gjene, që rregullojnë sistemin imunitar, janë koduar në kromozomin X (prej së cilës burrat kanë një, e gratë dy). Dhe në këtë mënyrë është e mundur që disa gjene të përfshira në sistemin imunitar janë më aktivë te gratë se te burrat.