Lifestyle

Bota e mbërthyer nga frika prej mungesës së ilaçeve

Descriptive Text

India e ka kufizuar eksportin e ilaçeve të caktuara, si pasojë e përhapjes masive të koronavirusit dhe ky vendim ka shkaktuar frikë globale për mungesë të disa prej ilaçeve të zakonshme.

Shteti indian, i cili është njëherësh furnizuesi më i madh botëror me ilaçe gjenerike, ka kufizuar eksportet e 26 përbërësve dhe ilaçeve të bëra në vend.

Mes ilaçeve që tanimë janë të kufizuara është edhe “Paracetamol”-i, i cili është njëri prej lehtësuesve më të përhapur globalisht të dhimbjeve.

Kufizimi ndodh për shkak se prodhuesit e shumicës së përbërësve të ilaçeve në Kinë janë mbyllur ose kanë limituar prodhimin. Prodhuesit e ilaçeve në Indi mbështeten me të madhe në Kinën për furnizim me pothuajse 70 përqindëshin e përbërësve aktivë të përdorur në ilaçet e tyre.

Kësisoj, ekspertët e industrisë kanë paralajmëruar se ka të ngjarë që të përballen me mungesa akoma më të mëdha, po qe se epidemia vazhdon.

“Edhe ilaçet që nuk prodhohen në Kinë marrin përbërësit e tyre bazë nga Kina. Në nivel global mund të ketë mungesë në rast se goditen që të dyja, si Kina ashtu edhe India”, ka paralajmëruar analisti, Shaun Rein, nga Grupi i Kërkimeve të Tregut në Kinë.

Lista e përbërësve dhe ilaçeve numëron 10 përqindëshin e të gjithë eksporteve farmaceutike indiane dhe përfshin po ashtu edhe disa antibiotikë, të tillë si “Tinidazole” dhe “Eritromycin”, si dhe hormonin e progesteronit dhe Vitaminën B12.