Tingëllon si një pop-up reklamë që e shihni online, por shkencëtarët e kanë krijuar dhe testuar një trajtim të ri i cili e shkrin dhjamin e barkut.
Teknika e re, e zhvilluar nga studiues të Harvardit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts (MGH), e përfshin injektimin e një tretje të kripës së akullt direkt në depozitat e dhjamit për t’i zvogëluar ato përgjysmë.
Procesi i ri tingëllon mjaft i thjeshtë. Ai e përdor një tretje sterile të përbërë nga kripa, gliceroli dhe midis 20 dhe 40 për qind grimca të vogla të akullit, duke i dhënë asaj një teksturë të sqotës. Kjo përzierje injektohet drejtpërdrejt në depozitat dhjamore, si për shembull rreth barkut, ku kristalizohet dhe i vret qelizat dhjamore. Gjatë disa javëve pas trajtimit, trupi do t’i largojë qelizat e vdekura.
Ekipi thotë se ky proces mund të përdoret për t’i zvogëluar depozitat dhjamore në çdo pjesë të trupit, në çdo thellësi, për aq kohë sa mund të arrihet nga gjilpëra ose kateteri, shkruan Koha Ditore. Ajo që është më e rëndësishmja, nuk duket se ka ndonjë efekt negativ në indet e tjera, si muskujt.
Për ta testuar procesin, hulumtuesit e injektuan tretjen në derra dhe i monitoruan efektet gjatë tetë javëve. Ata zbuluan se përzierja gjysmë e lëngshme e reduktoi trashësinë e dhjamit për 55 për qind, krahasuar me një grup kontrolli që merrte injeksione të të njëjtës tretje pa grimcat e akullit. Nuk iu bë asnjë dëmtim lëkurës ose muskujve, dhe asnjë efekt anësor nuk u vërejt gjetkë në trupat e kafshëve.
Ky proces i ri është evolucion i një teknike të ngjashme të krijuar më parë nga disa nga të njëjtët anëtarë të ekipit. Kriolipoliza e përfshin aplikimin e një pajisje të çuditshme në formë vakuumi mbi zonën e dëshiruar, zakonisht barkun. Kjo e ftohë yndyrën dhe i vret qelizat në një mënyrë të ngjashme me metodën e re, por nuk duket të jetë aq efektive.
Duhet gjithashtu më shumë kohë për ta administruar - deri në një orë - dhe më gjatë për të funksionuar, deri në gjashtë muaj. Reduktimi i dhjamit është gjithashtu më i vogël, mesatarisht rreth 20 për qind, dhe nuk mund t'i arrijë rezervat më të thella dhjamore.
Hulumtuesit në studimin e ri thonë se metoda e re injektuese do të duhej të jetë më e shpejtë dhe më efektive.
“E mira e kësaj teknike është se është e lehtë dhe e përshtatshme për t'u bërë,” thotë Lilit Garibyan, autore kryesore e studimit. “Me këtë teknikë të re mjeku mund ta bëjë një injeksion të thjeshtë i cili merr pak më pak se një minutë, pacienti mund të shkojë në shtëpi, dhe pastaj dhjami gradualisht zhduket”.
Natyrisht, metoda e re deri më tani është testuar vetëm në derra, kështu që nuk ka asnjë garanci se do të funksionojë në njerëz. Dhe, edhe nëse funksionon, ka arsye për të besuar se çdo efekt që e shkatërron dhjamin do të jetë thjesht kozmetik - studimet mbi kriolipolizën kanë treguar se nuk i zvogëlon nivelet e përgjithshme të lipideve ose ta përmirësojë funksionimin e mëlçisë, kështu që nuk do t’ju bëjë më të shëndetshëm.
Hulumtimi u publikua në revistën “Plastic and Reconstructive Surgery”.