Lifestyle

A e bën muzika vrapimin më efektiv

Çdo trajnim është i mirë, por muzika duket se ndihmon më së shumti tek vrapimet ose ecjet e shpejta. Një nga vendimet më të zakonshme të Vitit të Ri – humbja e peshës, shpesh shoqërohet me vendimin se është e nevojshme të ushtroni më shumë, shkruan sot Koha Ditore.

Çdo formë e trajnimit është më e mirë sesa mos-trajnimi, por duket se trajnimi dinamik është veçanërisht i shëndetshëm si për zemrën ashtu edhe për trurin. Nëse jeni një nga miliona njerëzit që kanë vendosur të jenë më aktiv fizikisht, ndoshta muzika mund t'ju ndihmojë t’i arrini qëllimet tuaja të dëshiruara? Për dallim nga ecja, ecja e shpejtë e rrit ndjeshëm qarkullimin e gjakut në tru dhe çon në lirimin e hormonit të njohur si BDNF (brain derived neurotrophic factor).

Ky hormon ndihmon në stimulimin e formimit të qelizave të reja të trurit, gjë që sigurisht që është gjithnjë e më e dobishme derisa njeriu plaket. Ecësit e shpejtë kanë më shumë gjasa të jetojnë më gjatë sesa njerëzit që praktikojnë ecje të zakonshme, të lehtë, shkruan BBC. Gjatë vitit 2017 është kryer një eksperiment në të cilin u vëzhgua një grup i punëtorëve të fabrikës.

Një pjesë e njerëzve e kishin për detyrë t’i përshkonin 10.000 hapa në ditë, ndërsa pjesa tjetër t’i bënin tri shëtitje të shpejta 10-minutëshe, në vend të një numri të caktuar hapash. U zbulua se kur bëhet fjalë për shëndetin, shëtitjet e shkurtra dhe të shpejta sjellin më shumë përfitime dhe shpesh janë më praktike sesa përpjekjet për t’i arritur 10.000 hapa. I njëjti eksperiment u përsërit në vitin 2019, por me më shumë pjesëmarrës.

Gjithashtu, u testua edhe nëse muzika u ndihmon njerëzve ta mbajnë tempin e tyre. Definimi i qartë i ecjes së shpejtë është t’i bëni rreth 100 hapa në minutë. Muzika që e ka ritmin e duhur mund ta bëjë më të lehtë arritjen e këtij numri hapash. Për shembull, këngët si “Dancing Queen” nga ABBA ose "Hips Don’t Lie" nga Shakira.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)