Po e shohim një numër në rritje të pajisjeve organ-në-çip, në të cilat copa të vogla të indit të gjallë biologjik përdoren për t’i replikuar funksionet e organeve të vërteta. Tani shkencëtarët e kanë krijuar dhëmbin e parë në çip, i cili e imiton një dhëmb me kavitet.
Në pjesën më të madhe, pajisjet organ-në-çip përfshijnë një mostër të indit nga një organ i caktuar, e cila vendoset brenda një sllajdi të vogël transparent. Kanalet mikrofluidike në këtë sllajd më pas përdoren për të bartur kimikate të ndryshme – siç janë ilaçet ose toksinat - nëpër atë mostër. Bazuar në mënyrën se si reagojnë indet, hulumtuesit janë në gjendje të reduktojnë sa mund të ndikohet organi i plotë.
I zhvilluar në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, dhëmbi-në-çip funksionon në të njëjtin parim.
Ai e përmban një shtresë të vogël të materialit dentin të marrë nga një dhëmballë, të sanduiçuar midis sllajdeve transparente prej gome. Kanalet e gdhendura në ato sllajde mundësojnë që lëngjet e futura të rrjedhin nëpër atë dentin, shkruan Koha Ditore. Kjo e replikon mënyrën në të cilën kaviteti në zmaltin mbrojtës të një dhëmbi mundëson që bakteret të hyjnë në brendësi të dhëmbit.
Duke e përdorur një mikroskop, shkencëtarët më pas ishin në gjendje të studiojnë se si reagon mostra. Teknologjia me kohë mund të përdoret për të zhvilluar zgjidhje për mbushjen e kaviteteve ose parandalimin e tyre, plus mund të përdoret për t’i optimizuar trajtimet për personat individualë - megjithëse kjo e fundit do të kërkonte pak sakrificë.
“Disa vjet nga tani, dentistët mund ta nxjerrin dhëmbin nga pacienti, ta fusin atë në këtë pajisje, të vëzhgojnë se si një material mbushës dentar bashkëvepron me dhëmbin dhe ta marrin një material që është më i miri për atë pacient të caktuar”, thotë shkencëtari kryesor, assoc. prof. Luiz E. Bertassoni. “Kjo e hap një dritare të re në kompleksitetin e kujdesit dentar, i cili mund ta ndryshojë dukshëm mënyrën se si punojmë në stomatologji”.
Një punim për hulumtimin u publikua ditë më parë në revistën “Lab on a Chip”.