Lifestyle

Diabeti është sëmundje më e rrezikshme për femrat sesa për meshkujt

Descriptive Text

Diabeti mund të jetë më vdekjeprurës për femrat sesa për meshkujt, të paktën kur bëhet fjalë për komplikimet që lidhen me problemet e zemrës, tregojnë hulumtimet e reja.

Sëmundjet e zemrës shfaqen mesatarisht 15 vjet më herët tek njerëzit që kanë diabet dhe janë shkaku kryesor i sëmundjes dhe vdekjes, ndërsa tek femrat lidhja midis diabetit dhe sëmundjeve të zemrës është veçanërisht e fortë, shkruan Health24, transmeton Koha Ditore.

Në botë, më shumë femra vdesin nga diabeti sesa meshkuj, apo 2.1 milionë femra kundrejt 1.8 milionë meshkuj në vit, thonë studiuesit.

Sëmundja koronare e zemrës është një lloj më i shpeshtë dhe vdekjeprurës i sëmundjes së zemrës tek njerëzit me diabet. Femrat me diabet kanë 1.8 herë më shumë të ngjarë të vdesin nga sëmundja koronare e zemrës sesa femrat pa diabet, ndërsa meshkujt që kanë diabet kanë 1.5 herë më shumë të ngjarë të vdesin nga sëmundja koronare e zemrës sesa meshkujt pa këtë sëmundje.

Sëmundja e arterieve periferike, e cila mund të çojë në amputim të këmbëve, është shenja fillestare më e shpeshtë e sëmundjes së zemrës në diabetin e tipit 2 dhe është 1.8 herë më e shpeshtë tek femrat sesa meshkujt.

Dështimi i zemrës është shenja e dytë më e shpeshtë fillestare e sëmundjes së zemrës në diabetin e tipit 2. Femrat me diabet kanë pesë herë më shumë gjasa të pësojnë dështim të zemrës sesa femrat që nuk kanë diabet, ndërsa meshkujt që kanë diabet kanë dy herë rrezik më të madh se meshkujt pa diabet.

Hulumtuesit po përpiqen të përcaktojnë se pse arresti kardiak është më i shpeshtë tek femrat me diabet sesa meshkujt me diabet, sipas një dokumenti të publikuar në Revistën evropiane për kardiologji parandaluese.

Ata gjithashtu parashikojnë që numri i personave me diabet mund të ngrihet në 629 milionë në të gjithë botën deri në vitin 2040. Mënyra e shëndetshme e jetesës është thelbësore për parandalimin e diabetit. Nëse njerëzit zhvillojnë diabet, është e rëndësishme t’i parandalojnë komplikimet e zemrës.

“Me rritjen e nivelit të mbipeshës në shoqërinë tonë e kemi parë një rritje të madhe të prevalencës së diabetit. E dimë se diabeti i tipit 2 është një sëmundje e lidhur me stilin e jetesës, kështu që mund ta ngadalësojmë zhvillimin duke e ndryshuar stilin e jetesës sonë”, tha autorja e lartë e studimit Joline Beulens.