Lifestyle

Nëntori muaji i ndërgjegjësimit ndaj diabetit

Descriptive Text

Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës, apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi.

Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga sëmundja e sheqerit: hiperglicemia dhe hipoglicemia.

Mjeku endokrinolog, prof. Florian Toti në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) u shpreh se më shumë njerëz vdesin nga diabeti në Shqipëri sesa nga kanceri i gjirit. Mirëushqyerja dhe aktiviteti fizik, sipas tij janë faktorët kryesorë në parandalimin e sëmundjes.

Por, cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje dhe grupmoshat më të prekura?

“Përsa i takon diabetin tre janë simptomat të cilat janë më të rëndësishme, një nga të cilat është etja e shtuar që kanë personat me diabet edhe jashtë periudhës së verës, urinimi i shpeshtë sidomos gjatë periudhës së natës pa lidhje me konsumimin apo jo dhe rënia graduale në peshë pavarësisht se oreksi mund të jetë i ruajtur, bile mund të jetë dhe i shtuar. E theksoj se këto janë shenjat klasike të diabeti e janë më prezente në rastin e tipit 1 ose atij që quhet diabeti i të rinjve ose ai ka nevojë për insulinë gjithë jetën sepse në këto raste këto shenja janë të lidhura me mungesën totale ose pothuajse totale të insulinës nga trupi i njeriut. Në rastet e diabetit Tip-2, diabeti mund të zbulohet fare rastësisht, nga një bilanc i përgjithshëm që mund të bëhet siç po ndodh edhe shpeshherë me rastet gjatë check-up që kryhet në popullatën aktive ose për shkaqe të tjera të palidhura: krizë hipertensioni, probleme zemre, dhimbje të ndryshme që mund të kenë personat. Ky është ai lloj diabeti që nuk ka shenja të dukshme por është edhe më i rrezikshmi sepse personi mund të ketë vite të tëra me këtë sëmundje, pa e ditur, pa u diagnostikuar dhe që ndërkaq mund t’i kenë filluar edhe ndërlikimet e mëvonshme të diabetit. Llogaritet që rreth 1/3 e personave me diabet tip-2 kanë prezent një komplikacion në momentin e diagnostikimit. Pra, kanë 5 ose 10 vjet me diabet të pazbuluar dhe të patrajtuar”, u shpreh mjeku.

Hapi i parë për parandalimin e sëmundjes sipas mjekut është diagnostikimi sa më i shpejtë.

“Në radhë të parë duhet të jemi në gjendja ta diagnostikojmë sa më shpejt. Grupet më të rrezikuara: mosha mbi 40 vjeç , personat që kanë të afërm me diabet, personat obezë, persona sedentarë, personat që kanë yndyrat e larta, personat që vuajnë nga hipertensioni, ata që kanë infeksione të shpeshta të lëkurës ose te organet gjenitale dhe te gratë nëse kanë lindur fëmijë mbi 4 kg ose në qoftë kanë pasur diabet gjatë shtatzënësisë. Sa i takon diabet tip-1 i cili trajtohet gjatë gjithë jetës me insulinë, nuk është se kemi ndonjë gjë të madhe në dorë për të bërë dhe tek këto persona ku shpesh mund të jetë fëmijë edhe disa muajsh edhe disa vjeç duhet që patjetër të njihen me shenjat e diabetit dhe nëse kanë dyshime që fëmija mund të ketë diabet, t’i bëjnë një matje glicemie për të përjashtuar diabetin. Tek të rriturit, pra kur diabeti mund të këtë vite që mund të ketë filluar, ajo që ka rëndësi është parandalimi i diabetit që bëhet në mënyrë të shëndetshme. Pra shtimi i aktivitetit fizik, minimumi 60 minuta aktivitet fizik çdo ditë ose të paktën 10 mijë hapa në ditë.

Nëse marrim ushqim më tepër sesa harxhojmë do ta depozitojmë në formën e dhjamit dhe dhjami është ai që i bën rezistencën insulinës dhe që e lodh pankreasin më tepër dhe që e bën që të shpërthejë diabeti tip-2. Duke humbur peshë trupore përmirësojmë punën e organizmit”, -tha ndër të tjera, mjeku endokrinolog Toti.

Mjeku rekomandon po ashtu shmangien e sheqernave të thjeshta duke filluar nga ëmbëlsirat, pijet e ëmbla për të vazhduar me ushqimet me yndyra sidomos yndyrë shtazore, pijet alkoolike dhe energjike.

Muaji nëntor njihet ndryshe edhe si muaji i ndërgjegjësimit ndaj sëmundjes së diabetit. Mjeku endokrinolog apeloi për ndryshime në mënyrën e jetesës, me qëllim parandalimin e sëmundjes.

“Më tepër njerëz vdesin vetëm nga diabeti në Shqipëri sesa nga kanceri i gjirit. Ky apel që jepet duke u veshur gjithandej rozë, do të dëshiroja të ishte edhe për ngjyrën blu që është ngjyra e ditës botërore të diabetit sepse për fat të mirë sa i përket diabetit tip-2, ne kemi shumë në dorë për të bërë, për të parandaluar thjesht duke bërë ato që unë përmenda 30-50% të rasteve me diabet. Që do të thotë, çdo vit të ketë më pak rreth 1500 diabetikë në Shqipëri. Çdo vit, nga 3 deri në 5 mijë raste të reja me diabet kur pjesa më e madhe janë me diabet tip-2. Për çdo një person të diagnostikuar me diabet sipas shifrave mendohet që mund të ketë edhe një person tjetër me diabet por që ende nuk e di. Në total kur vjen puna për Shqipërinë, ne mund të flasim për shifra të personave të prekura nga diabeti që mund të jenë 100 ose 120 mijë persona të prekur në total. Është një shifër shumë e madhe dhe që po rritet nga viti në vit dhe mbi të gjitha kemi rreth 4% të popullatës që është me pre diabet, pra një pjesë e popullate që është e predispozuar, nuk është tamam me diabet por që po nuk bëri ato ndryshime në mënyrën e jetesës brenda pesë apo dhjete viteve në vazhdim do të bëhet me diabet”, përfundoi mjeku endokrinolog./atsh