Një kompani amerikane e barnave, thotë se ka krijuar ilaçin e parë që mund të ngadalësojë sëmundjen e Alzheimerit dhe tani është e gatshme ta sjellë atë në treg.
Aktualisht, nuk ka ilaçe që mund ta bëjnë këtë - ato ekzistuese ndihmojnë vetëm me simptoma.
Kompania “Biogen” thotë se së shpejti do të kërkojë miratimin rregullator në SHBA për ilaçin e quajtur “aducanumab”. Ajo planifikon të paraqesë dokumentet në fillim të vitit 2020.
Proceset e miratimit mund të zgjasin një vit ose dy. Nëse është e suksesshme, kompania synon fillimisht të ofrojë ilaçin për pacientët e regjistruar më parë në studimet klinike të këtij ilaçit.
Njoftimi është disi befasues pasi kompania kishte ndërprerë punën për ilaçin në muajin mars, pas zhgënjimit të rezultateve të testimit.
Por kompania thotë se një analizë e re e një përmbledhje më e madhe e studimeve të njëjta, tregon se doza më të larta të “aducanumabit” mund të ofrojnë një përfitim të konsiderueshëm për pacientët me Alzheimer të hershëm.
“Aducanumab” synon një proteinë të quajtur amiloid që formon depozita anormale në trurin e njerëzve me Alzheimer. Shkencëtarët mendojnë se këto pllaka janë toksike për qelizat e trurit dhe se pastrimi i tyre duke përdorur këtë ilaç do të ishte një përparim masiv në trajtimin e demencës, edhe pse nuk është një kurë.
Demenca nuk është një sëmundje e vetme, por është emri i një grupi simptomash që përfshijnë probleme me kujtesën dhe të menduarit.
Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme të demencës dhe Alzheimeri thuhet se është më i zakonshmi dhe më i hulumtuari.
Aktualisht janë 850,000 njerëz me demencë në Britani të Madhe./kosovapress