Lifestyle

Rikthimi i vrullshëm i broshëve

Karficat apo broshët janë sërish në qendër të vëmendjes.

Lady Hale, kryetarja e Gjykatës Supreme të Britanisë së Madhe, kishte bartur një merimangë të madhe, të argjendtë mbi supet e saj muajin e shkuar, teksa po e shpallte të paligjshëm vendimin e kryeministrit, Boris Johnson, për pezullimin e Parlamentit. Mesazhi i nënkuptuar i trendit të saj të modës u përcoll furishëm në rrjetet sociale (me përshkrimin që thoshte se mbase ajo po mundohej të thoshte se ai është i ngujuar në një rrjet gënjeshtrash), duke ofruar një rikujtim të freskës të rëndësisë që kjo stoli e fuqishme mund të ketë në formësimin e gardërobës.

Broshët shpesh i kanë shërbyer një synimi përtej atij dekorativ; një gurë i gdhendur viktorian mund ta bartë portretin e dikujt të rëndësishëm për bartësin, ama një stoli mesjetare mund edhe ta mbrojë pronarin e vet nga ndonjë e keqe, shkruan “The Telegraph”, transmeton “Koha Ditore”. Këto përnjëmend janë stoli të lashta, meqë datojnë qysh prej epokës së bronzit, mirëpo broshët e humbën shkëlqimin e tyre dikur kah mesi i të nëntëdhjetave, kur të gjithë vendosën disi përnjëherësh se në veshjet e tyre nuk kishin nevojë për shkëlqim shtesë.

Mirëpo, në vjeshtën e 2019-s broshët rikthehen pavarësisht të gjithash. Dhe kësaj radhe nuk çon peshë të madhe se cilit stil i përkasin. Ka gurë të gdhendur dhe lule të ndryshme, kurora e unaza, pështjellime të thjeshta prej ari dhe stoli gracioze të trungjeve të jetës. Për më tepër mund të gjenden në çmime të ndryshme dhe në akëcilin cep, prej shitoreve të lira rrugësh deri te dyqanet ku mund të blini gjëra të çmuara për t’ua lënë si trashëgimi të bijave apo mbesave.

Ndër adhurueset mbase më të njohura të broshëve është pikërisht monarkia britanike. Mbretëresha Elizabeth përherë i ka dashur broshët dhe në secilën dalje të sajën në publik, në gardërobën e saj patjetër ka përdorur një brosh. Dashuria e saj për broshët ka qenë e palëkundur, pavarësisht faktit nëse të tjerët kanë menduar se kjo gjë është e modës apo jo.

Në shumicën e fotografive të Mbretëreshës pas viteve ‘70, ajo mund të shihet tek bart nga një brosh. Koleksioni i broshëve i lartmadhërisë së saj përmban modele të mëdha dhe të shumëllojshme që janë bartur përgjatë gjeneratash. Përdoruesit e Twitterit kanë shpërndarë fotografitë e mbretëreshës me broshë të ndryshëm gjatë qershorit të 2019-s. Në mesin e fotografive të postuara është edhe ajo e takimit të saj me presidentin amerikan, Donald Trump, në të cilën e bart broshin që ia kishin dhuruar Obamat.

Image

Ama broshët tani përnjëmend janë shndërruar në sensacionin më të ri të botës së modës, ani pse kanë ekzistuar si mbërthyese praktike dhe stoli e parapëlqyer qysh prej mijëra vjetësh.

Megjithatë, momenti kyç për përdorimin e tyre në modë ndodhi më 1927, kur Coco Chanel e prezantoi koleksionin e saj të stolive. Kësisoj, që atëherë bartja e broshëve të të gjitha llojeve u shndërrua në një shenjë dalluese të stilit të “Chanelit”. Ndërkaq tani janë rikthyer edhe nëpër sfilata dhe në qilimat e kuq.

Dizajnuesi i famshëm i modës, Giorgio Armani, përdori disa modele të fluturave dhe pilivesave kur e shpalosi koleksionin e tij vjeshtor, ndërsa Tilda Swinton e barti një gjethe gjigante prej gurësh kristali të vendosur mbi xhaketën e saj në festivalin ndërkombëtar të filmit në Cannes.