Lifestyle

Zbulohen thjerrëzat tejet të holla

Descriptive Text

Vala e re e telefonave të mençur që do të dalin në treg të gjitha vijnë me kamera të jashtëzakonshme që prodhojnë foto të shkëlqyera. Por është vetëm një ankesë - thjerrëzat e trasha të kamerave në anën e pasme që dalin si gunga të shëmtuara në një fletë qelqi.

Por studiuesit e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike të Universitetit të Utah e kanë zhvilluar një lloj të ri të thjerrëzës optike që është shumë më e hollë dhe më e lehtë sesa thjerrëzat konvencionale të kamerave, e që gjithashtu funksionon me imazheri të natës, një ndihmë kjo e ardhshme për telefonat e mençur e cila do të mund t’i rrafshojë ato “gunga kamerash”, si dhe për dronët dhe kamerat me shikim të natës për ushtarët. Puna e ekipit është profilizuar në një punim të ri të profilizuar në edicionin e fundit të Proceedings of the National Academy of Sciences.

Punimi është bashkëshkruar prej studentëve të diplomuar në inxhinieri elektrike dhe kompjuterike Monjurul Meem, Sourangsu Banerji, Apratim Majumder, profesorë të asociuar të inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike Rajesh Menon dhe Berardi Sensale Rodriguez, dhe profesori i asociuar i matematikës Fernando Guevara Vasquez, shkruan Koha Ditore. Derisa thjerrëzat konvencionale për kamerat e telefonave të mençur janë disa milimetra të trasha, thjerrëzat e tyre të reja janë vetëm disa mikronë të trashë, ose një mijë herë më të holla se thjerrëzat e zakonshme, sipas Menon.

“Thjerrëzat tona janë njëqind herë më të lehta dhe një mijë herë më të holla, por performanca mund të jetë po aq e mirë sa thjerrëzat konvencionale”, thotë ai. Një thjerrëz e lakuar konvencionale e merr dritën e cila kërcen nga një objekt dhe e lakon atë përpara se të arrijë përfundimisht në sensorin e kamerës e cila e formon figurën digjitale. Por kjo thjerrëz e re ka shumë mikrostruktura, secila duke e lakuar dritën në drejtimin e duhur në sensor. Ekipi e ka zhvilluar një proces fabrikimi me një lloj të ri polimeri së bashku me algoritmet që mund ta llogaritin gjeometrinë e këtyre mikrostrukturave.

“Mund të mendoni për këto mikrostruktura si piksele shumë të vogla të një thjerrëze,” shpjegon Menon. “Ato nuk janë vetë thjerrëza, por të gjitha punojnë së bashku për të vepruar si thjerrëza”.

Rezultati është një thjerrëz që është e rrafshët në vend se të jetë e lakuar dhe më shumë se 20 herë më e hollë se floku i njeriut me aftësi të shtuar për t’u përdorur në imazheri termike për t’i parë objektet në errësirë. Derisa kjo me kohë mund të prodhojë kamera të smartfonëve pa asnjë gungë, gjithashtu mund t'u japë atyre mundësinë që të bëjnë imazheri termike për të kërkuar nënshkrime të nxehtësisë. Por një përdorim më i menjëhershëm për këtë teknologji do t’ua mundësojë dronëve më të lehtë ushtarakë të fluturojnë më gjatë për misione të natës ose të hartëzojnë zjarre pyjore ose të kërkojnë viktima të fatkeqësive natyrore.

Dhe ushtarët në fushë mund të bartin kamera shumë më të lehta me vizion të natës për kohëzgjatje më të gjata. Menon thotë se kjo thjerrëz e re gjithashtu mund të jetë më e lirë për t’u prodhuar sepse dizajni ua mundëson atyre t'i krijojnë ato nga plastika në vend të qelqit.

Image