Nutricionisti këshillon se si duhet ta përtypim ushqimin dhe t’ia lehtësojmë punën lukthit

Nutricionisti këshillon se si duhet ta përtypim ushqimin dhe t’ia lehtësojmë punën lukthit

13 October 2019 14:44

Tretja e duhur fillon në gojë, prandaj është e rëndësishme që ta përtypim mirë ushqimin për ta shmangur mbingarkimin e lukthit. Nutricionisti Jo Travers i jep disa këshilla të dobishme për përtypjen e duhur.

Travers thotë se ushqimi duhet të përtypet derisa të imtësohet mjaftueshëm që të gëlltitet lehtë. Në këtë mënyrë, lukthi nuk ngarkohet shumë gjatë tretjes.

“Pështyma përmban amilazë, një enzimë kjo që ndihmon në shpërbërjen kimike të ushqimit. Ekziston edhe tretja mekanike apo shpërbërja fizike e ushqimit. Nëse ushqimi nuk qëndron sa duhet në gojë, ai nuk ekspozohet ndaj amilazës e cila është e nevojshme për t’i shpërbërë karbohidratet, shkruan Koha Ditore. Në lukth shumë pak treten karbohidratet, ndërsa në qoftë se ushqimi arrin tek ai pa tretjen e duhur në gojë, lukthi duhet të punojë shumë më tepër. Përveç kësaj, në qoftë se copëzat e papërtypura të ushqimit arrijnë deri në krye të zorrës së hollë, kjo mund të shkaktojë fryrje dhe parehati”, thotë nutricionisti britanik.

Në vend që të numërojmë se sa herë e përtypim ushqimin, Travers i këshillon njerëzit që pas marrjes së çdo kafshate t’i lëshojnë lugët dhe pirunët. Vetëm pasi ta keni përtypur dhe gëlltitur një kafshatë, rekomandon Travers, mund t’i merrni përsëri pajisjet për ngrënie për kafshatën e ardhshme.

“Ka diçka që ju krijon urgjencë kur para vetes e keni pirunin plot me ushqim. Ju prisni se kur do ta vendosni në gojë gjë që ju shtyn të gëlltitni më shpejtë. Vetëm lënia e pajisjeve për ngrënie në mes të kafshatave mund të ndihmojë që t’ju krijojë një ndjenjë të përgjegjësisë që ta përtypni sa duhet ushqimin”, thotë Travers.

Pasoja e ngrënies së shpejtë dhe mungesës së përtypjes mund të jetë një ndjenjë e madhe e parehatisë, problemet me tretje dhe shfaqja e simptomave të refluksit, gjatë së cilës vjen deri tek një lloj i kthimit të ushqimit dhe lëngjeve gastrike nga lukthi në ezofag.

Një problem tjetër i ngrënies së shpejtë është se ajo mund të çojë në trashje, sepse në këtë rast hamë më shumë sesa në fakt na duhet për t’u ngopur.

Prandaj Travers shton se sa e rëndësishme është të hamë në pozitë natyrale, të ulur, ta shmangim çdo gjë që mund të na pengojë gjatë ngrënies dhe t’i përdorim të gjitha shqisat gjatë përtypjes dhe futjes së ushqimit në lukth.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme