Ilaçet e përdorura për trajtimin e prostatës së zmadhuar mund të jenë ilaç i fuqishëm edhe për sëmundjen e Parkinsonit, sipas një ekipi ndërkombëtar shkencëtarësh.
Terazosina ndihmon në zbutjen e hiperplazisë beninje të prostatës duke i relaksuar muskujt e fshikëzës dhe prostatës. Megjithatë, hulumtuesit besojnë se ai gjithashtu ka efekte të dobishme edhe në qelizat e trurit të dëmtuara nga sëmundja e Parkinsonit. Hulumtuesit thonë se ky ilaç mund ta ngadalësojë përparimin e sëmundjes së Parkinsonit.
Hulumtuesit i studiuan disa mijëra pacientë me hiperplazi beninje të prostatës dhe sëmundje të Parkinsonit. Gjetjet e tyre, të publikuara në revistën “Clinical Investigation”, tregojnë se ilaçi që e bllokon mbrojtjen alfa i mbron qelizat e trurit nga shkatërrimi.
Parkinsoni është një sëmundje progresive e cila ndikon në tru, dhe për të cilën aktualisht nuk ka ilaç, shkruan “Koha Ditore”. Trajtimet ekzistuese për sëmundjen e Parkinsonit mund të ndihmojnë tek disa simptoma, por nuk mund ta ngadalësojnë ose ndalojnë humbjen e neuroneve, e cila shfaqet tek kjo sëmundje, raporton BBC.
Terazosini mund të ndihmojë në aktivizimin e një enzime të quajtur PGK1 për ta parandaluar vdekjen e qelizave të trurit, thonë hulumtuesit nga Universiteti Iowa në Shtetet e Bashkuara dhe Instituti i Pekinit për çrregullimet e trurit në Kinë.
Kur e testuan ilaçin në brejtës, ai dukej se e ngadalësoi ose ndaloi humbjen e qelizave nervore. Për ta filluar vlerësimin nëse ilaçi mund ta ketë të njëjtin efekt tek njerëzit, ata i kontrolluan të dhënat mjekësore të miliona pacientëve amerikanë për t’i identifikuar meshkujt me hiperplazi beninje të prostatës dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Hulumtuesit i studiuan 2.880 pacientë me sëmundjen e Parkinsonit, të cilët e merrnin terazosinën ose ilaçe të ngjashme që e targetojnë PGK1 dhe një grup krahasimi prej 15.409 pacientësh me sëmundjen e Parkinsonit të cilët kishin trajtim të ndryshëm për hiperplazinë beninje të prostatës dhe i cili nuk vepronte në PGK1.
Duket se pacientët me ilaçe që e shënjestrojnë PGK1 kanë arritur rezultate më të mira kur bëhet fjalë për lehtësimin e simptomave dhe reduktimin e përparimit të sëmundjes së Parkinsonit.
Hulumtuesi kryesor Michael Welsh thotë se është shumë herët të flasim për shërimin, ndërsa gjetjet mund ta ndryshojnë potencialisht jetën e njerëzve me Parkinson.
“Sot, nuk kemi trajtime që e ndryshojnë rrjedhën progresive të kësaj sëmundjeje neurodegjenerative. Kjo është një sëmundje e tmerrshme, sepse popullsia po preket gjithnjë e më shumë nga sëmundja e Parkinsonit. Pra, kjo është një fushë më të vërtetë emocionuese e studimit”, tha ai.
Duke pasur parasysh që terazosina ka treguar rezultate të dëshmuara në trajtimin e hiperplazisë beninje të prostatës, thotë Welsh, aprovimi dhe “ridefinimi” i tij si ilaç për sëmundjen e Parkinsonit duhet të mundësohen nëse provat klinike kalojnë mirë.
Provat, të cilat do të zgjasin disa vjet, do ta krahasojnë ilaçin me placebo për t’u siguruar që ilaçi është i sigurt dhe efektiv në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit.
“Ne kemi nevojë për këto prova të kontrolluara për të dëshmuar se këto ilaçe më të vërtetë e ndryshojnë sëmundjen. Nëse tregohet se e ndryshojnë, kjo do të ishte e shkëlqyeshme”, tha Nandakumar Narayanan, i cili i shëron pacientët me sëmundjen e Parkinsonit.
Ai shtoi se këto rezultate emocionuese tregojnë se terazosina mund të ketë potencial të fshehur për ta ngadalësuar përparimin e sëmundjes së Parkinsonit, diçka që është shumë e nevojshme për t’i ndihmuar njerëzit që të jetojnë gjatë me këtë çrregullim.