“Flladi” nis nga Venecia. Programi veror i KTV-së sivjet e nis rrugëtimin nga një qytet italian. Ekipi i Kohavisionit e ka vizituar Venecian dhe sjell nga atje pamje të mahnitshme të qytetit, që themelet i ka mbi ujë.
I shtrirë në mbi 100 ishuj në lagunën e detit Adriatik, Venecia njihet edhe si qytet i turistëve. Një prej ngjarjeve kryesore që tërheq vizitorët e këtij vendi është ngjarja më e madhe e artit pamor në botë.
Ekipi i KTV-së ka qëndruar në ditët kur është hapur Bienalja e Artit në Venecie, në muajin maj, në të cilën Kosova po përfaqësohet me veprën e artistit Alban Muja.
“Flladi” nga Venecie sjell gjithçka që e ka karakterizuar këtë edicion të ngjarjes së madhe të artit pamor, të realizuar përreth temës “Të rroni në kohë interesante”. Me veprën “Family Album” (Albumi familjar), artisti Muja ka sjellë para audiencës ndërkombëtare rrëfimet e atyre që si fëmijë gjatë luftës në Kosovë ishin bërë imazhe të refugjatëve gjithandej botës.
Kjo është hera e katërt që Kosova prezantohet në Bienalen e Venecias që sivjet shënon edicionin e 58-të. Janë 90 shtete që përfaqësohen me pavijonet e tyre, përderisa ekspozita kolektive shpalos veprat e 79 artistëve.
Krahas pamjeve e bisedave me pjesëmarrës të Bienales, “Flladi” sjell pamje e detaje për vendet më karakteristike të Venecias, përfshirë sheshin e famshëm të Shën Markut. Intervistat me turistët që ndajnë përshtypjet për Venecian para kamerës së Kohavisionit, po ashtu janë pjesë e materialit.
“Flladi” nga Venecia, është realizuar nga gazetarja Elvira Berisha dhe do të transmetohet të hënën në Kohavision, në ora 18:00. Ndryshe “Flladi” transmetohet çdo ditë pune deri në fund të gushtit.