Lifestyle

San Francisco bëhet qyteti i parë amerikan që ndalon cigaret elektronike

San Francisco është bërë qyteti i parë amerikan i cili ka ndaluar shitjen e cigareve elektronike derisa nuk qartësohen efektet e tyre në shëndet, njoftoi BBC.

Zyrtarët e San Franciscos e votuan ndalesën e shitjes së e-cigareve në dyqane, por ua ndaluan edhe shitësve online që t’i livrojnë këto pajisje në adresat e blerësve. Pikërisht në San Francisco ndodhet selia e Juul Labs, kompanisë më të popullarizuar amerikane që prodhon cigare elektronike. Kompania me rastin e ndalimit tha se ky hap do t’i shtyjë blerësit që t’u kthehen cigareve të zakonshme, dhe do ta shkaktojë krijimin e "tregut të zi", shkruan KOHA Ditore.

Kryebashkiakja e San Franciscos, London Breed, i ka 10 ditë që ta nënshkruajë ligjin dhe njoftoi se do ta bëjë këtë, ndërsa ligji do të hyjë në fuqi shtatë muaj më vonë. Megjithatë, spekulohet se ligji do të paraqesë një sfidë juridike.

Aktivistët të cilët janë kundër shitjes së cigareve elektronike thanë se kompanitë i shënjestrojnë më shumë të rinjtë të cilëve u ofrojnë shije të ndryshme. Edhe pse nevojiten më shumë hulumtime shkencore për t’i identifikuar efektet në shëndet, aktivistët thonë se e-cigaret mund t’i nxisin të rinjtë të kalojnë në cigare të vërteta.

Qendrat amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve thanë se numri i adoleshentëve amerikanë të cilët konsumojnë nikotinë është rritur me 36 për qind vitin e kaluar, dhe kjo është e lidhur me rritjen e përdorimit të e-cigareve. Ligji federal thotë se personat nën moshën 18 vjeç nuk mund të blejnë produkte të duhanit, ndërsa në disa vende ky kufizim është ngritur në 21 vjet.