Lifestyle

Kanceri në qafën e mitrës është tërësisht e parandalueshme

Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri, i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim. Instituti i Shëndetit Publik thekson se kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Më tej, ISHP jep një informacion të detajuar mbi shkaktarët e sëmundjes, simptomat dhe mënyrat e trajtimit të saj.

Shkaktarët

Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane-HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksualë të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë pasur shumë partnere seksuale, ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët.

Simptomat

Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.

Parandalimi dhe depistimi

Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit/kontrrollit dhe vaksinimit. Depistimi/kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme dhe gjithashtu kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia. Pap testi është një test tradicional depistues, i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, zgjat vetëm pak minuta, por mund të shpëtojë jetën e një femre. Pap testi mund të kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Nëse rezultati i Pap testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale, mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh apo kërkon të kryhen ekzaminime të tjera shtesë.

Testi HPV

Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së HPV me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Në testimin për HPV, merret një mostër qelizash duke futur në vaginë një furçë të vogël. Mostra mund të mblidhet dhe nga vetë gruaja duke e udhëzuar paraprakisht. Një test pozitiv HPV nuk konfirmon se gruaja ka parakancer; ai vetëm konfirmon se ka një infeksion me HPV. Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet dhe te gratë më të reja se 30 vjeç nëse vihet re rrezik i lartë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon depistimin për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale më shpesh. Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Aktualisht në dispozicion janë disa lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër llojeve kancershkaktuese të HPV. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së. Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. OBSH rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç. Ndërhyrje të tjera parandaluese përveç depistimit dhe vaksinimit, të rekomanduara nga OBSH si për djemtë dhe për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale e fillimi me vonesë i aktivitetit seksual, promovimi i përdorimit të prezervativit për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit, rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre e komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.

Trajtimi

Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë. Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.