Tansia Begum i ka vetëm njëmbëdhjetë ditë pushim. Për krejt vitin. Dhe meqë dëshiron ta shfrytëzojë çdo minutë të kësaj kohe, ka vendosur që të udhëtojë natën, shkruan sot Koha Ditore.
Normalisht, thekson ajo, kurrë nuk do të merrte udhë natën. Të udhëtosh fillikat vetëm si grua nuk është aspak e sigurt. Madje mund të jetë edhe e rrezikshme. Dhe që të ndihet sa më e sigurt në udhëtimin e gjatë e të largët, ka ndarë mendjen që të ulet në karrigen e parë. Menjëherë prapa karriges së shoferit të autobusit.
Nëna e sfidave
Prerja e biletës i ka kushtuar gjashtëqind taka apo rreth gjashtë euro. Kjo shumë është thuajse sa vlera e dy ditëve të punës së saj në qepjen e rrobave, veçmas kanotierave.
25vjeçarja është punëtore në një kompani që furnizon firmën e njohur “H&M”. Madje produktet që qepen prej duarve të saj mund të shihen tani edhe në qendrat e njohura tregtare të “Walmartit”. Ajo punon në një fabrikë pa emër në zonën industriale në Chittagong, një qytet i dominuar nga ndërtimet e betonta të hirta me rreth dy milionë banorë.
Shtrihet në Gjirin e Bengalit. Është prodhuesi i dytë më i madh i tekstilit në Bangladeshin jugor. Akrepat shënojnë orën nëntë të mbrëmjes së tre korrikut 2019, dita e fundit e punës para festës së Bajramit të Madh.
Edhe
Brenda hoteleve të azilkërkueseve në Mbretërinë e Bashkuar
Miliona myslimanë kanë agjëruar tridhjetë ditë para se të shënojnë me ëmbëlsira ditën pasuese. Është një frymë feste e ngjashme me atë të katolikëve për Krishtlindje në Evropë dhe gjetkë: Trenat dhe autobusët janë përplot, të rriturit janë në stres dhe fëmijët mezi presin të shohin dhuratat dhe sheqerkat e festës.
Begum ka rezervuar disa javë më parë biletën e autobusit. Ajo ka mbuluar fytyrën për të mos rrokur vëmendjen e burrave dhe për të filtruar ajrin në qytetin me shkallë të lartë të ndotjes nga numri i madh i makinave të vjetra. Ajo ka mbushur dy valixhe që do t’i vendosë në bagazhin e autobusit që niset nga zona industriale e Cittagonqut.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)