Qentë e policisë në Kili po trajnohen për të nuhatur koronavirusin te njerëzit, me shpresë se ata do të lehtësojnë rihapjen e hapësirave publike, duke përfshirë qendrat tregtare, qendrat sportive, stacionet e autobusëve dhe aeroportet.
CNN ka raportuar se të ashtuquajturit qenë “bio-detektorë” pritet të përfundojnë trajnimin në mes të shtatorit dhe do të vendosen në vendet me frekuentim të madh të njerëzve.
Kili po përballet me vështirësi me COVID-19, që arriti kulmin në qershor. Të dielën është bërë publik një plan prej pesë fazave për rimëkëmbje ekonomike.
Aktualisht programi i qenve nuhatës është i vogël, me vetëm katër qenë në trajnim. Policia Nacionale e Kilit dhe Universiteti Katolik i Kilit po bashkëpunojnë për të trajnuar qentë për të zbuluar një “erë të re” – erën e pacientëve me COVID-19. Detaje për këtë program ka dhënë profesori Fernando Mardones, epidemiolog veterinar.
Aktualisht nuk ka prova që qentë mund të nuhasin koronavirusin apo të bëjnë dallimin midis një infeksioni me koronavirus dhe një infeksioni tjetër, sidomos para se të fillon shfaqja e simptomave.
Në studime të kaluara, studiuesit u kanë dhënë qenve mostra të marra nga njerëz me sëmundje të tilla si kanceri apo malaria si dhe mostra të njerëzve pa sëmundje. Studimet kanë dëshmuar se qentë mund të vërejnë ndryshimin.
Koronavirusi nuk ka erë të veten, thotë Mardones, por studiuesit shpresojnë që diçka në djersën e të sëmurëve mund të jetë e dallueshme për qentë.
“Një trup që kontrakton COVID-19 gjeneron kompozime organike të paqëndrueshme. Një mostër merret nga individi në fazë të hershme të infektimit. Një fashë lihet për rreth 15 minuta nën sqetullat e një individi. Ajo mostër merret dhe përdoret për të stërvitur qentë”, ka theksuar Mardones për CNNE.
“Qentë e përzgjedhur kanë vite punë në zbulim të drogës, eksplozivit dhe gjërave tjera. Për ta është e thjeshtë që të mësojnë për të zbuluar një erë të re, një aromë të re”, ka shtuar Mardones.
Stërvitja mund të zgjasë prej dy javë deri në dy muaj. Qentë po ashtu po mësohen për të qëndruar ulur pranë individëve që i kanë zbuluar se janë me COVID-19. Deri në 250 persona mund të nuhas një qen brenda orës. Detektimi kaq i shpejtë vlerësohet kyç për hapjen e qendrave të mëdha.