Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Pasaporta më e rrallë në botë

Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës – i njohur edhe si Kalorësit e Maltës – nuk është vetëm rend fetar katolik me gati 1000 vjet histori e as vetëm organizatë humanitare multimilionëshe që operon në kampe të refugjatëve në 120 shtete të botës. Është komb i pavarur dhe ka statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara. Ka kushtetutë, por paradoksalisht – nuk ka territor. Entiteti sovran lëshon edhe targa të veturave ani pse nuk ka rrugë të veta. Ka vula, valutë e madje edhe pasaportë.

Kalorësit e Maltës nisën si urdhër kalorësiak në Jerusalem në vitin 1099. Napoleon Bonaparte i detyroi të largoheshin nga Malta në pushtimin francez të 1798-s. Tani kanë selinë në Romë. Daniel de Petri Testaferrata, president i Urdhrit me bazë në Maltë, ka thënë për CNN-in se vetëm 100 nga 13 mijë e 500 kalorës, dama e kapelanë jetojnë në arkipelagun maltez.

Pasaportat e para u lëshuan nga Urdhri i Maltës më 1300 kur diplomatët e vet udhëtuan në shtete të tjera në rolin e ambasadorëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i pasaportës diplomatike mori karakteristika të pasaportës që përdoret nga shtetet tjera. Sot janë vetëm 500 pasaporta të tilla diplomatike – duke e bërë pasaportën më të rrallë në botë.

Kjo pasaportë ruhet vetëm për anëtarët e Këshillit Sovran dhe liderët e misioneve diplomatike e familjet e tyre. Përmban shkronja të arta që theksojnë emrin e organizatës në gjuhën frënge “Ordre Souverain Militaire de Malte”.

“Urdhri siguron pasaporta për anëtarët e qeverisë për periudhën e mandatit të tyre”, ka thënë De Petri Testaferrata.

Edhe Kjo është pasaporta më e fuqishme sivjet Kuriozitet 4 d. më parë Kjo është pasaporta më e fuqishme sivjet

Pasaportat e udhëheqësve janë valide për më së gjati 10 vjet në dy mandate. Ata duhet të dalin në pension në moshën 85-vjeçare. Pasaportat tjera janë valide për katër vjet dhe përdoren vetëm për misione diplomatike. Pasaportat kanë 44 faqe dhe kanë kryqin maltez.

Dy e tretat e zonës Schengen i njohin pasaportat diplomatike dhe Urdhri ka bashkëpunim të ngushtë me disa prej shteteve më të fuqishme evropiane./CNN