Gjykata e Apelit në Turqi ka miratuar dy ditë më parë dënimin me 11 muaj e 20 ditë burg për këngëtaren dhe aktoren turke, Zuhal Olcay, për fyerjen publike që i bëri Presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan 3 vjet më parë.
Siç shkruan BBC turk, më 5 gusht 2016, Olcay performonte në një skenë, në Stamboll, duke bërë gjeste me dorë kundër Presidentit Erdogan.
Mjaftoi një denoncim në polici dhe hetimet çuan deri në vërtetësinë e ngjarjes. Sipas dëshmive, aktorja dhe këngëtarja kishte ndryshuar tekstet e këngëve të saj dhe i kishte “përshtatur” me fjalë e gjeste kundër Presidentit. Prokuroria, si fillim, kërkoi 1 vit e 2 muaj deri në 4 vite e 8 muaj burg për artisten, me akuzën për “fyerje publike” ndaj Presidentit.
Olcay u dënua me 10 muaj burg, ndërsa pas apelimit, dënimi iu shtua në 11 muaj e 20 ditë burg.
Vendimi u apelua nga avokatët e kreut të shtetit turk, të cilët e dërguan çështjen në Gjykatën Supreme të Apelit, e cila mori së fundi vendimin për dënim me burg.
Edhe
Gazetari turk dënohet me mbi dy vjet burgim për fyerje të Erdoganit
Sipas Haberturk, Olcay duke ka shprehur pendesën për veprimin e saj duke theksuar se “ishte një veprim impulsiv” dhe se “ka ndryshuar tekstin sepse emri i Presidentit përshtatej me rimën”.
Aktorja dhe këngëtarja 61-vjeçare ka luajtur në më shumë se 15 seriale që prej vitit 1980. Roli i saj i fundit është ai i Sureyasë në serialin “Shoqëria e Lartë”.