Shumëkush ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë për një "shtëpi për kafshë të moshuara", por një e tillë ndodhet në veri të Gjermanisë, në gadishullin Butjadingen.
Kjo “shtëpi” u themelua nga Karin Mueck dhe Jan Gerdes më 2007.
Në fermë strehohen kryesisht lopët që do të prisnin vdekjen në thertore pas shumë vitesh në shërbim të industrisë, por tash kanë mundësinë që t’i kalojnë vitet e pleqërisë në paqe.
Një mëngjes tipik në fermën Bautland fillon me Mueckun dhe Gerdesin duke përgatitur ushqim për kafshët.
"Ne sapo përgatitëm një vakt për zonjat dhe zotërinjtë e moshuar nga 'reparti i infermierisë'. Ata vuajnë nga osteoartriti dhe nuk mund të mbajnë më hapin me tufën e madhe", thotë Muck gjatë intervistës.
Pronarët e “shtëpisë së të moshuarve” për kafshët, fillimisht u tallën nga shumë njerëz, por ndërkohë projekti i tyre fitoi një numër të madh simpatizantësh. Me ndihmën e donacioneve, ata aktualisht mund të kujdesen për 38 bagëti.

Lopa e Marieke nuk bën dot asgjë pa ndihmën e dikujt, sepse ajo ishte e lidhur në një hambar për 12 vjet dhe gjatë asaj kohe dha më shumë se 100.000 litra qumësht.
Pronarja Mueck thotë se është e tmerrshme që lopët të trajtohen si makina dhe se njerëzit dinë shumë pak për vuajtjet e atyre kafshëve.
Një rast i veçantë është demi Ole, i cili “punonte” në cirk. Ai u shpëtua nga Instituti Veterinar dhe tani Ole në Butenland gëzon dashuri e vëmendje, ashtu si të tjerët në këtë “familje”.
Në fermën Butenland, kafshët bëjnë çfarë të duan, duke u sjellë si pjesë e një familjeje të madhe që zotëron 20 hektarë kullota.
Ndërkohë për këtë histori, është xhiruar edhe një dokumentar i quajtur "Butenland". Dokumentari tregon historinë e dy njerëzve që përqendrohen në nevojat e kafshëve, larg çdo interesi ekonomik.
Kameramani Marc Pierschel i ndoqi të dy me aparatin e tij në Hof Butenland për më shumë se dy vjet. Pamjet kanë kapur momente lumturie dhe trishtimi. \klix