Agjencia Evropiane Hapësinore po përgatitet që t’i lansojë dy satelitë që do t’u ndihmonte shkencëtarëve të studionin Diellin. Proba-3 duhet të realizojë diçka që më parë mendohej se ishte e pamundur - duke hedhur një hije të saktë nga një anije kozmike në tjetrën duke krijuar një eklips
Dy satelitë do të lëshohen në hapësirë nga India në një mision, të parin në botë, për të krijuar një eklips.
Ky është plani që po hartohet në Belgjikë ku Agjencia Evropiane Hapësinore (ESA) po përgatit anijen kozmike si pjesë e misionit Proba-3.
Sapo të përfundojë integrimi përfundimtar i satelitëve, ata do të zhvendosen në Indi dhe pritet të dërgohen në hapësirë në shtator.
Nëse janë të suksesshëm, ata do të krijojnë një hije nga njëri prej satelitëve te tjetri, dhe në këtë formë pritet të krijohet një eklips.
Arsyeja?
Për të marrë një pamje të vazhdueshme të “atmosferës fantazmë” - ose kurora - që është pjesa më e jashtme e atmosferës së Diellit.
Sipas ESA-s ky do të jetë misioni i parë për të studiuar kurorën e Diellit aq afër buzës diellore.
“Ata do të lëshohen dhe do të qëndrojnë së bashku për rreth një muaj”, shpjegon inxhinierja e Operacioneve Satelitore, Marie Beeckma, teksa mban një model të anijes kozmike. “Satelitët do të ndahen dhe më pas do të shkojnë në një orbitë të sigurt, shumë larg njëri-tjetrit, në mënyrë që të sigurohemi që të mos përplasen me njëri-tjetrin”.
Nëse drita e Diellit nuk bllokohet, çdo teleskop vëzhgues do të verbohej nga kjo dritë dhe nuk do të ishte në gjendje të shihte kurorën.
Studimi i kurorës diellore mund t'i ndihmojë shkencëtarët të parashikojnë motin diellor, të tilla si stuhitë diellore, si dhe rrjetet e komunikimit dhe rrjetet e energjisë në Tokë.
Menaxheri i projektit, Damien Galano, thotë se misioni ka të bëjë me të provuarit e diçkaje të re.
“Proba-3 është në një seri të misioneve Proba që u zhvilluan nga Agjencia Evropiane Hapësinore. Proba është një akronim për ‘Project of Onboard Autonomy’, por Proba gjithashtu do të thotë në latinisht ‘le të provojmë’ dhe kjo është pikërisht logjika, të provosh koncepte të reja, teknologji të re. Pra, ky është objektivi kryesor, të demonstrohet me një aplikim real se çfarë mund të arrihet”.
Nëse është i suksesshëm, misioni Proba-3 do të jetë në gjendje të krijojë eklipse diellore me komandë.
Megjithëse anëtarët e publikut nuk do të jenë në gjendje t’ i shohin këto nga Toka, mund të jemi të sigurt se ky ekip novator në Belgjikë do të monitorojë çdo detaj.