Një nga kriminelët më të rrezikshëm të Italisë është kapur në Korfuz pasi një foto e tij duke bërë tifo për ekipin e tij të preferuar të futbollit ia zbuloi vendndodhjen, shkruan BBC.
Vincenzo La Porta 60-vjeçar, mendohet se ka lidhje të ngushta me bandën kriminale Camorra në Napoli.
Ai ka qenë në arrati për 11 vjet, por është arrestuar më herët këtë vit pasi u pa në një foto të tifozëve duke festuar në Greqi.
“Ajo që e tradhtoi ishte pasioni i tij për futbollin dhe për Napolin”, ka thënë Policia e Napolit.
Zyrtarët policorë panë fotot e bëra pasi Napoli fitoi titullin e parë të Italisë pas më tepër se tri dekadave.
“Me fitoren e kampionatit, La Porta nuk i rezistoi dot festimit”, tha Policia.
Edhe
Ish-futbollisti i Shqipërisë arrestohet në Francë
La Porta ishte dënuar në mungesë në Itali për veprimtari kriminale të ndryshme, përfshirë edhe evazion fiskal e mashtrim.
Policia e arrestoi atë të premten teksa po udhëtonte me motoçikletë në ishullin grek Korfuz. Ai po pritet të ekstradohet në Itali.