Kuriozitet

Indiani fiton lotarinë disa orë pasi planifikonte ta shiste shtëpinë

Ishte një moment lehtësimi kur shoku i Mohammed Bavës në Indi e telefonoi për t'i dhënë një lajm të papritur, por të këndshëm. Miku i tha atij se kishte fituar 10 milionë rupi (rreth 125 mijë euro) në një llotari që po përpiqej ta fitonte për gati një vit, shkruan BBC.

Kjo ndodhi më 25 korrik. Pesë ditë më vonë, Bava është bërë një njeri i famshëm në qytetin e tij të lindjes, Kasargod, në shtetin jugor të Keralas.

Lotaria është kryesisht e paligjshme në shumicën e shteteve të Indisë, por një pjesë e vogël, përfshirë Keralan, e lejojnë atë nën mbikëqyrje dhe rregullore të rrepta.

Fitorja nuk mund të kishte ardhur në një moment më të mirë për Bavan. Ai ishte nën borxhe masive që i kishte grumbulluar ndër vite. Ai kishte qenë duke u përpjekur të shlyente borxhet ndaj huadhënësve të tij dhe kjo i kishte vënë stres masiv financiar dhe emocional atij dhe familjes së tij.

Si mjet i fundit, familja kishte vendosur të shiste shtëpinë për të shlyer borxhin. Disa orë para se të vinte telefonata, Bava pothuajse kishte bërë një marrëveshje me një blerës për të shitur shtëpinë e tij.

Më 25 korrik, ai duhej të takonte një blerës të mundshëm në orën 17:30 për të konfirmuar shitjen e shtëpisë së tij dhe për të pranuar paradhënien.

Por fati kishte plane të tjera dhe ai ende kujton momentin e saktë kur i telefonoi shoku i tij Ganesh.

Në orën 15:20, ai mori mesazhin në WhatsApp nga Ganeshi për rezultatet e ditës.

"Isha shumë i lehtësuar. Kisha mbetur pa njerëz për t'u drejtuar për ndihmë", ka thënë Bava për BBC. “Ne ishim të ekstazuar, nuk kishim fjalë për të përshkruar emocionet tona”.

Pas taksave, Bava pritet të marrë 6.3 milionë rupi. Është e paqartë se kur saktësisht do të jetë në gjendje t'i marrë paratë. Por ai nuk është më i shqetësuar pasi huadhënësit kanë pushuar së trokituri në dyert e tij.