(ArtNews) – Arma e ish-presidentit Theodore Roosevelt është shitur për gati një milion dollarë në një ankand të shtëpisë së ankandeve “Rock Island Auction”, ka njoftuar kompania nëpërmjet një deklarate. Arma, një revolver i modelit të ri “Smith&Wesson” numër 3, që daton prej fundit të viteve 1890, u shit për 910 mijë e 625 dollarë. Kjo shifër i afrohet asaj me të cilën u shit arma e përdorur prej Han Solo, luajtur prej Harrison Fordit në filmin origjinal “Star Wars” të vitit 1977. Ishte shitur mbi një milion dollarë në një ankand në “Rock Island” gushtin e kaluar.
Arma e Rooseveltit, sipas dokumenteve të origjinës së saj të siguruara nga “Rock Island”, u mor nga ish-presidenti më 12 maj 1898, kur ai – në atë kohë nënkolonel – po stërvitej në Kalorësinë e Parë Vullnetare të Shteteve të Bashkuara e njohur si “Rough Riders”. Ajo është e vetmja njësi ushtarake amerikane që ka parë luftime në Luftën Spanjolle-Amerikane.
“Armët e zjarrit me lidhje presidenciale janë shumë të kërkuara dhe jashtëzakonisht të vështira për t’u gjetur”, ka thënë në një deklaratë Kevin Hogan, president i shtëpisë së ankandeve “Rock Island”. “Të jesh i lidhur me një zyrë kaq të rëndësishme i bën këto armë me peshë në momente historike të historisë amerikane. Ne kemi pasur përgjegjësinë për të ofruar tri armë presidenciale në vitin 2022, gjë që është e padëgjuar, por nuk ka pushuar kurrë së qeni diçka e veçantë”.
Megjithatë revolveri – i pajisur me fishekë të kalibrit 38, fishek i shërbimit amerikan atë kohë – ishe menduar të përdorej në Luftën Spanjolle-Amerikane. Roosevelt përdori në mënyrë të famshme një revolver “Colt” me dy veprime, për të shpëtuar nga rrënojat e “USS Maine”, anija e marinës amerikane që u fundos në portin e Havanës në shkurt 1898. Shkatërrimit të anijes i atribuohen nisja e luftës, ani pse ende debatohet për atë që përfundimisht e fundosi anijen.
Thuhet se Roosevelt e mbajti armën e zjarrit “Smith&Wesson” deri në vitet e fundit të jetës së tij. E veja e tij Edith ia kishte dhënë armën James E. Amos, truprojës dhe shërbëtorit të ish-presidentit pasi ai vdiq.
Marrë nga “ArtNews”. Përktheu: Besartë Elshani