Një lak i vogël stofi që është i vendosur në pjesën e pasme të një këmishe për burra, shërben për varjen e këmishës në ndonjë grepvarëse në dollap në mënyrë që të mos ndrydhet.
Shumë njerëz nuk e dinë se ai ekziston për një arsye konkrete, dhe se historia e tij shkon shumë përtej funksionit praktik.

Së pari, quhet “locker loop”.
Ky detaj i vogël, i vendosur pas jakës ose në mes të shpinës së këmishës, ka një histori që nis nga mesi i shekullit XX. Qëllimi i tij ishte i thjeshtë: të mundësonte varjen e këmishës në grep, në hapësira shumë të ngushta, pa pasur nevojë për varëse.
Sipas historisë së veshjeve, “locker loop” u përdor fillimisht nga marinarët.
Në anije nuk kishte dollapë të zakonshëm, por vetëm dollapë të vegjël metalikë, të pamjaftueshëm për grepvarëse rrobash. Për këtë arsye, këmishët pajiseshin me një lak që mund të varej në grep, duke shmangur palosjen dhe rrudhosjen e tyre.
Gear Patrol ka shrkuar se shpesh në historikun e kësaj praktike thuhet se “varja e këmishës ishte mënyra më e thjeshtë për ta mbajtur atë të rregullt në kushte të vështira”.
Nga deti, ky detaj kaloi në tokë.
Brendi amerikan i veshjeve, “GANT”, ishte ai që e bëri “locker loop” pjesë të modës, duke e përfshirë në këmishët e stilit Oxford që prodhonte për studentët e universiteteve elitare amerikane.
Në vitet '50 dhe '60, “GANT” ishte brendi zyrtar i Universitetit Yale dhe këmishët e tij u kthyen në simbol të stilit të studentëve të “Ivy League”, duke ndikuar në modën e stilin e veshjeve të burrave në gjithë Shtetet e Bashkuara.
Por me kalimin e kohës, “locker loop” mori edhe një kuptim shoqëror.
Në vitet ’60, ai u kthye në një sinjal romantik.
Vajzat shpesh ia grisnin lakun këmishës së djemve që pëlqenin, si një mënyrë për të treguar interes apo për të “shënuar territorin”.
Nga ana tjetër, disa djem i prisnin vetë lakët për të treguar se ishin tashmë në një lidhje.
“Një këmishë pa lak nënkuptonte se zemra e tij ishte e zënë”, thuhet në rrëfimet e asaj kohe, sipas Gear Patrol.
Në këmbim, vajzat shpesh mbanin shallin ose një veshje të të dashurit, si simbol i lidhjes së tyre.
Megjithatë, popullariteti i këtij detaji solli edhe anën e errët.
Lakët e paprerë shpesh tërhiqeshin apo shqyheshin për shaka, por në disa raste u përdorën edhe për tallje dhe fyerje.
Një këmishë me lak u shndërrua, padrejtësisht, në mjet për të nënkuptuar se dikush nuk ishte në një lidhje apo për të bërë aludime homofobike, duke përdorur nofka fyese dhe denigruese.
Sot, “locker loop” nuk ka më asnjë kuptim shoqëror apo simbolik.
Ai ka mbetur kryesisht si një element dizajni dhe një kujtesë e historisë së modës.
Brende të modës si “Brooks Brothers”, “GANT” dhe “Gitman Vintage” vazhdojnë ta përfshijnë atë në këmishët e tyre, si një detaj klasik dhe trashëgimor.