Puna e fundit e bërë para vdekjes, nga shkencëtari Stephen Hawking, është një shkrim ku flitet për një teori që shpjegon si mund të zbulohen universet paralele dhe ku po ashtu parashikohet fundi i botës.
Në këtë material, Hawking ishte duke punuar në ditët e fundit të jetës. Aty ai parasheh që bota do të përfundojë në momentin që do të mbetet pa energji.
Mirëpo, Hawking në këtë punë shkencore po ashtu parasheh se shkencëtarët mund të gjejnë një univers paralel, duke u mundësuar njerëzve një kuptim më të mirë të botës dhe gjithësisë, transmeton ksp.
Sipas bashkëpunëtorit të Hawking, Thomas Hertog, ky material mund të ishte ai që do të siguronte çmimin Nobel për Hawking.
“Ai ishte nominuar disa herë për çmimin Nobel dhe do duhej ta fitonte atë. Tani ai kurrë s’do të mund ta ketë këtë çmim”, u shpreh Hertog, duke shtuar se beson se me këtë punim Hawking do ta fitonte Nobelin.
Hawking vdiq javën e kaluar në moshën 76 vjeçare. Ai kishte vuajtur nga një sëmundje e rrallë që nga viti 1964, e cila e la atë në karrocë me një aftësi tejet të vogël për kontrollimin e muskujve.
Për të komunikuar me të tjerët, Hawking përdorte një pajisje elektronike që i mundësonte atij të fliste përmes kompjuterit.