Janë bukur larg rrëmujës kosmopolitane të Rio de Zhaneros, por vendet e këtilla tani janë vënë në fokusin e atyre që jetojnë në qytetet e mëdha.
Lugina e lumit të Praibës jugore, në Brazil, është e njohur për plantacionet e vjetra të kafesë. Baronët e kafesë i kishin në pronësi këto ferma gjatë shekullit XIX.
Por tani, të zhvendosurit nga Rioja e zhurmshme, po i bëjnë përherë e më të lakmueshme këto vende.
Shtëpia e Omar Peresit, pronar i një gazete dhe themelues i “Coffee Hotel”, dikur ishte fermë. Ai shpreson që të tërheqë vizitorë që janë të dhënë pas historisë.
Në shtëpinë kryesore, pikturat e vajit rikujtojnë disa prej karaktereve kryesore të perandorisë braziliane dhe portugeze. Si kjo e perandoreshës Leopoldina dhe të birit të saj, Peter II, mbreti i fundit i Brazilit.
Edhe
Ish-mbrojtësi i Japonisë po jeton si “kauboj” në Brazil
Para se të zhvendosej në periferi, Peres jetonte në një apartament buzë plazhit në Rio de Zhanero.
“Kam ardhur këtu sepse ndihem shumë më i sigurt. Do të rri, pasi që është një përvojë e re për mua. Kurrë nuk kam bërë diçka të tillë”, ka thënë Peres.
Prona e tij ende e ka trenin e vjetër me avull. Fuqinë e merr nga djegia e drurëve. Por ato duhet të digjen për më shumë se dy orë, para se ta arrijnë presionin e nevojshëm.
Kishte arritur nga Anglia më 1914 dhe është njëra prej lokomotivave të fundit që është ende funksionale në këtë anë të vendit. Peres mendon se lokomotiva mund të jetë tërheqëse për turistët që do të vijnë.
Nga shkurti i 2020-s deri në shkurt të 2021-s, kërkesat për të marrë shtëpi me qira në periferi janë rritur për 154 për qind. Janë rritur edhe kërkesat për qytetet bregdetare, për 47 për qind, kurse në qytetet e tjera është evidentuar rënie prej 9 për qind.
Lais Tamella ka marrë vajzën, nënën dhe mbesën e saj, dhe të gjitha bashkë janë zhvendosur në periferi qysh në fillim të pandemisë, një vit më parë. Që atëherë, janë munduar që të përshtaten me punë.
“Është evidentuar zhvendosje masive nga Rio de Zhanero drejt këtij vendi. Të gjitha shtëpitë që përdoreshin gjatë verës tani janë pushtuar nga të shpërngulurit, fqinjët tanë tani po jetojnë këtu, janë kryesisht persona që punojnë nga distanca”, ka thënë Tamella.
Edhe
Mini-shtëpitë braziliane për familjet e pastreha
Ajo punonte si cicerone në Rio, kurse tani bën kukulla, të cilat i shet në internet.
Për të dhe shumë të tjerë sikurse ajo, pandemia ka pasur edhe një anë pozitive, ngase i ka mundësuar që të kalojë më shumë kohë me nënën, vajzën dhe mbesën e saj.