Matcha, çaji i gjelbër japonez me ngjyrë të ndritshme, është bërë shumë i kërkuar në të gjithë botën. Tani ai gjendet kudo – nga ‘Starbucks’ në Britani, deri te ‘Krispy Kreme’ në Singapor.
Kjo “çmenduri” për matcha po shtyhet kryesisht nga rrjetet sociale. Në TikTok, hashtagu “Matcha Tok” ka marrë dhjetëra miliona shikime, ku influencerët tregojnë receta, këshilla për përgatitje dhe përvoja të tyre me këtë çaj.
Një arsye tjetër për rritjen e popullaritetit është edhe turizmi në Japoni pas pandemisë. Monedha japoneze është dobësuar, gjë që e bën vendin më tërheqës për turistët dhe rrit kërkesën për produktet japoneze, përfshirë edhe matchan.
Kërkesa është aq e madhe, sa shumë dyqane nuk po arrijnë të mbajnë furnizimin.
Lauren Purvis, importuese çaji në SHBA, thotë për BBC-në se “atë që më parë e kishim si furnizim për një muaj, tani na mbaron për disa ditë”.
“Disa kafene kërkojnë edhe nga një kilogram matcha në ditë. Janë të dëshpëruara të përballojnë kërkesën”, ka thënë ajo.
Por kjo kërkesë e lartë, e kombinuar me korrje më të vogla për shkak të valëve të të nxehtit dhe tarifave amerikane mbi produktet japoneze, po e rrit ndjeshëm çmimin e matchas. Sa më pak gramë matcha që pinë, aq më i mirë është kualiteti – por çmimi është i madh. Në Amerikë, matcha e zakonshme 100 gramë kushton 15 deri në 30 dollarë, por ajo 20-3- gramë shkon nga 70 deri në 100 dollarë.
Matcha prodhohet përmes një procesi shumë të vjetër dhe të kujdesshëm. Për të, përdoren gjethe të quajtura “tencha”, të cilat mbahen nën hije për disa javë derisa rriten. Kjo është e domosdoshme për të krijuar shijen karakteristike “umami” – një shije e lehtë e kripur që e bën matchan të ëmbël dhe të shijshme.
Më pas, gjethet korren, thahen dhe bluhen. Një mulli tradicional arrin të prodhojë vetëm rreth 40 gram pluhur matcha në një orë.