Harrojini banesat tuaja të spërkatura me dezinfektues apo tryezën e freskët të kuzhinës të bërë me zbardhues, apo edhe dhomat e mbyllura të spitaleve të qasshme vetëm për profesionistët mjekësorë në petkat e tyre: dy vendet më të sigurta në botë për t’u fshehur nga koronavirusi janë zyrtarisht shtëpitë gjermane dhe kanadeze të “Big Brotherit”.
Versioni gjerman i shout ka nisur më 6 shkurt dhe garuesit deri tash nuk kanë ide se pjesa tjetër e botës po përjeton pandemi për shkak se, siç e thonë edhe vetë rregullat e shout, ata nuk lejohen të mbajnë çfarëdo kontakti me botën përjashta. Kur ata u mbyllën në shtëpi, asnjë rast nuk ishte konfirmuar përtej Kinës. Dhe sado që duket e pabesueshme, kur njerëz të rinj hyjnë në shou gjatë gjithë kohës, ata nuk e kanë të lejuar t’u thonë ndonjë gjë cimerëve të tyre.
Çfarë fshehtësie që duhet të mbahet! Merreni me mend: garuesit po përpiqen të flasin për rezultatet e fundit në futboll apo për të gjetur se cilët janë cimerët që audienca i ka më për zemër, dhe këta yje të shkretë do të çirren kur të mësojnë që njerëzit po vdesin. “Big Brotheri” kanadez ka filluar më 6 mars – kur tubimet masive u ndaluan në vend – dhe cimerët e ngatërruar nuk mund t’i bien në fije përse nuk mund të dëgjojnë audiencën që ulërin gjatë dëbimeve.
“Mbase shtëpia është…papritur e papërshkueshme nga zëri?” ka thënë njëri prej garuesve në një klip që është përhapur në Twitter. Kasti i “Big Brotherit” brazilian po ashtu nuk di gjë prej gjëje për koronavirusin – meqë ata hynë në shtëpi më 21 janar, producentët nuk kanë pranuar t’i përditësojnë me botën e jashtme. Më 2013, shtëpia e “Big Brotherit” britanik kishte një “shpërthim viral” të rrejshëm, gjatë të cilit cimerët duhej të vendosnin se cili prej tyre do të merrte të vetmen fashë-maskë apo të shkonte në karantinë.
Kjo qe frymëzuar nga seria horror e Charlie Brookerit “Dead Set”, në të cilën stafi producent dhe garuesit e “Big Brotherit” brazilian kurthohen brenda një shtëpie gjatë një apokalipsi zombish. Ashiqare, është një ankth etik e moral fshehja e informatave nga pjesëmarrësit e këtij reality-shou. Në anën tjetër, hareja e injorancës tingëllon e pabesueshme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.