Kuriozitet

Aktorja krijon portrete në bukë

Nëse mendoni se këto bukë janë duke qeshur...ose edhe po ua bëjnë me sy.. ndoshta keni të drejtë.

Bukët me portrete – janë mjeshtri e Serafima Krasnikova, aktore 24-vjeçare nga Moska.

Nisi gjatë vitit të kaluar kur Rusia me krejt pjesën tjetër të botës, u izolua. Gatimi i bukëve u bë hobi për shumë gra.

Mirëpo, aktorja Krasnikova jo vetëm që nisi të gatuante, por vendosi të kombinonte gatimin me art, duke vizatuar fytyra në bukë.

“Kur nisa të gatuaja në shtëpi isha e mërzitur dhe fillova të bëja vija në brumë. Pastaj e bëra një fytyrë dhe mendova se nuk do të dalë asgjë, por kur e nxora nga furra, doli një fytyrë e mirë buke. Kështu nisi krejt puna”, ka thënë ajo.

Që prej atij momenti, fytyrat në sipërfaqen e bukës u bënë shenjë identifikuese e aktores furrtare nga Moska.

“I dua njerëzit, prandaj diku brenda meje janë shumë fytyra, të cilat më pëlqejnë. Kur i bëj portretet, kurrë nuk e di se kush janë, por mendoj për dikë”, ka shtuar ajo.

Procesi i gatimit zgjat 24 orë – buka së pari duhet të vijë ndërsa më vonë vendoset në frigorifer për 12 orë me qëllim që të kryhet procesi i fermentimit të ftohtë.

Të nesërmen brumi nxirret nga frigoriferi dhe piqet në furrë.

Së pari, Krasnikova nisi gatimin në shtëpinë e saj, mirëpo kur gatoi 150 bukë në gjashtë muajt dhe shiteshin menjëherë, ajo u detyrua të merrte një lokal më të madh.

Me kalimin e kohës ajo filloi t’i zgjerojë format e bukës. Tani në menynë e saj janë të paktën dhjetë forma të bukës.

Ka bukë djegëse, me ullinj, kunguj - të gjitha me shije dhe ngjyra të ndryshme.

Çmimi i bukëve fillon nga 4 deri në 11 dollarë.

Buka më e madhe është një kilogram, por Krasnikova një herë ka gatuar një bukë që peshonte 5 kilogramë. Këtë e bëri për një dasmë.