Burrat shqiptarë janë ndër më shtatshkurtrit në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga “NCD-RisC”, rrjet i ekspertëve shëndetësorë në gjithë botën.
Evropianët, si burrat ashtu edhe gratë, janë ndër popujt më shtatgjatë në botë. Në hartën e publikuar nga ky rrjet, shqiptarët zënë vend kah fundi i listës. Shtatgjatësia mesatare e burrave shqiptarë është 174.1 centimetra. Më keq është vetëm Qiproja që ka mesatare prej 172.7 centimetrash.
Sipas këtyre të dhënave, holandezët janë më të gjatët në Evropë, por edhe në botë. Mesatarja e shtatgjatësisë te burrat holandezë është 183.8 centimetra. Pas tyre, malazezët janë në vend të dytë me mesatare të gjatësisë prej 183.3 centimetra dhe estonezët me 182.8 centimetra.
Në listën prej 20 shteteve me burrat më shtatgjatë, 19 janë të Evropës. Vetëm Dominika është shteti që zë vend në këtë listë, e që s’është në Evropë.
