Në fshatin Rusan, ngjitur me Delvinën, gjendet një kompleks religjioz që ka shërbyer si xhami. Quhet Xhamia e Gjinaleksit.
Ky objekt kulti fetar, ka një histori të çuditshme dhe krejt të veçantë.
Xhamia e Gjinaleksit, siç e përmend edhe Evlija Çelebiu në shekullin XVII., ka një veçanti të sajën.
Fillimisht është ndërtuar si kishë në vitin 1230 nga vëllezërit Gjin dhe Aleks. Më vonë u shndërrua në xhami dhe në vitin 1700 iu shtua edhe minarja.
Më vonë u shtuan edhe katër tyrbe, që e rrethojnë këtë kompleks.
Interesantja dhe e veçanta e kësaj “Kishe-xhami”, qëndron se aty bashkëjetojnë tre besimet fetare: ortodoksja, myslimanizmi dhe bektashizmi.
Sot, kjo xhami është në proces restaurimi.
Specialistët restauratorë, thonë se ka shumë probleme që i kanë ardhur ndërtesës nga uji dhe lagështia ndër vite, deri në tretjen e pjesshme të gurëve gëlqerorë të mureve dhe krijimin e stalaktiteve në faqet e tyre.
“Është një monument interesant dhe i bukur, që do të rishfaqi vlerat e plota mbas një restaurimi të kujdesshëm”, thonë restauratorët.