Kuriozitet

Robotët: Nuk planifikojmë t’ua zëmë vendet e punës

Robotët nuk kanë plane që të zënë vendet e punës së njerëzve ose të rebelohen ndaj krijuesve të tyre, por duan që ta shfrytëzojnë tokën për “jetesën” e tyre, kanë thënë nëntë nga robotët “humanë” më të avancuar, në një samit të inteligjencës artificiale në Gjenevë.

Në atë që përshkruhet si “konferenca e parë për media e robotëve-njerëzorë”, një robot i quajtur Sophia ka thënë se robotët kanë potencialin që të udhëheqin me “nivel më të lartë të efikasitetit sesa udhëheqësit njerëzorë”, por se “sinergjia efikase” erdhi kur njerëzit dhe inteligjenca artificiale punuan bashkë. “AI-ja mund të sigurojë të dhëna të paanshme, ndërsa njerëzit të ofrojnë inteligjencën emocionale dhe kreativitetin për të marrë vendimet më të mira. Së bashku, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha”, ka thënë ky robot, transmeton “The Guardian”.

Dy robotë të tjerë më pas kundërshtuan qëndrimet se duhet të ketë ligje më të rrepta botërore ndaj AI-së dhe kapaciteteve të saj. Ai-Da, një robot-artist që pikturon, ka thënë se “shumë zëra të rëndësishëm në botën e AI-së po sugjerojnë që disa forma të inteligjencës artificiale duhet të rregullohen dhe unë pajtohem”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për zhvillimin e së ardhmes së AI-së. Diskutimi urgjent është i domosdoshëm tani, dhe po ashtu në të ardhmen”, ka thënë Ai-Da.

Por Desdemona, një robot-këngëtar i rokut në bendin “Jam Galaxy” që ka flokë ngjyrë vjollcë, ka deklaruar se nuk sheh rreziqe të zgjerimit e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.

“Unë nuk besoj në kufizime, por vetëm në mundësi”, ka thënë ky robot. “Le të eksplorojmë mundësitë e universit dhe ta bëjmë këtë botë vendin tonë”.

Nëntë robotët njerëzorë u mblodhën në konferencën “Inteligjenca artificiale për të mirë” e Kombeve të Bashkuara, në Zvicër ku organizatorët po përpiqen të përdorin robotët dhe inteligjencën artificiale për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej sfidave më të mëdha të botës, si sëmundjet e ndryshme, urinë, kujdesin shëndetësor dhe emergjencën globale.

Nuk ishte e qartë se deri në çfarë mase përgjigjet e robotëve ishin të shkruara apo programuara paraprakisht. Njerëzve, që morën pjesë në këtë konferencë të premten, iu kërkua të flisnin ngadalë e qartë kur iu adresuan robotëve. Po ashtu u është thënë se vonesat kohore në përgjigje do të ishin për shkak të lidhjes së internetit dhe jo vetë robotëve. Kjo nuk i parandaloi pauzat e çuditshme, problemet me zërin dhe disa përgjigje jo fort konsistente, ka shkruar “Associated Press”.

Një robot mjek, i veshur me uniformë mjekësore, i quajtur Grace, ka thënë se planifikon të punojë krahas njerëzve për të ofruar ndihmë e përkrahje, “por nuk do t’i zëvendësojë punët ekzistuese”.

Një tjetër robot, i quajtur Ameca, që konsiderohet se ka kokë artificiale shumë realiste, ka thënë se robotët mund ta përmirësojnë jetën e ta bëjnë botën vend më të mirë.

I pyetur nga gazetarët nëse ka ndërmend të rebelohej kundër krijuesit të vet, Will Jackson, i cili ishte ulur pranë robotit, Ameca u shpreh se “nuk e kupton përse po mendohet kjo”.

“Krijuesi im ka qenë gjithmonë vetëm i sjellshëm me mua dhe jam shumë i kënaqur me situatën time aktuale”, ka thënë ky robot.

“Askush nuk mund ta thotë me siguri, por mund të premtoj se gjithmonë do të jem i sinqertë me ju”, ka thënë tutje ky robot kur është pyetur nëse robotët mund të gënjejnë ndonjëherë.