Kuriozitet

Ekuador, gruaja “e vdekur” nis të marrë frymë në arkivol

Të mbledhurit në një ceremoni mortore të një gruaje në Ekuador, kanë mbetur të shtangur teksa kanë kuptuar se megjithatë, ajo ishte gjallë.

Bella Montoya, 76-vjeçare, u shpall e vdekur javën e shkuar pas një sulmi.

Gjatë përpjekjeve për t’ia ndërruar rrobat para varrimit, të pranishmit vunë re se ajo po merrte frymë.

Montoya tani është kthyer nën kujdes intensiv dhe Ministria e Shëndetësisë në Ekuador ka njoftuar se ka nisur hetimi për incidentin.

Në një deklaratë publike, Ministria ka thënë se gruaja kishte humbur frymëmarrjen dhe funksionimin e zemrës dhe s’u ishte përgjigjur përpjekjeve për shpëtim. Mjeku në detyrë pati konfirmuar vdekjen e saj.

Djali i gruas, Gilber Rodolfo Balberan Montoya, është cituar të ketë thënë se nëna e tij ishte pranuar në spital në mëngjes e në mbrëmje doktori kishte thënë se ajo ka vdekur.

Ajo më pas ishte vendosur në arkivol për disa orë, deri kur familjarët e panë teksa përpiqej të merrte frymë.

Madje janë publikuar edhe video në rrjetet sociale që e tregojnë gruan në arkivolin e hapur teksa merr frymë dhe njerëz të shumtë që e rrethojnë.

Ajo është shtrirë sërish në kujdesin intensiv në spitalin e njëjtë ku u shpall e vdekur.

“Pak nga pak, po e kuptoj atë që ka ndodhur. Tani vetëm po lutem për shëndetin e nënës sime. E dua të gjallë dhe në krah”, ka thënë djali i saj, raporton agjencia AFP.