Kuriozitet

Shkencëtarët krijojnë qofte prej mamuthi

Mbetjet e mamuthit gjenden rregullisht të varrosura në ngricat e përhershme të Arktikut. Zbulimi i tyre i ka lejuar shkencëtarët të mësojnë detaje intriguese rreth jetës së këtyre gjigantëve të zhdukur të Epokës së Akullit nga gjenomi i tyre.

Tani disa nga këto informacione po përdoren për të krjojnë mish mamuthi në laborator.

Mishi është formuar në formën e qoftes dhe quhet si e tillë, shkroi CNN.

Shkencëtarët kanë marrë ADN-në nga një proteinë muskulore mamuthi dhe e kanë plotësuar me kod gjenetik elefanti, që është specia e gjallë që i ngjan më shumë mamuthit. Kjo sekuencë është përzierë me qeliza staminale deleje, për të krijuar mishin e mamuthit.

Por, pavarësisht se kompania australiane thotë se ka krijuar “mish shumë të shijshëm”, ekspertët kanë frikë se proteina e lashtë mund të jetë vdekjeprurëse për njeriun.

Shkencëtarët kanë thënë se hezituan të provonin këtë mish për shkak se bëhej fjalë për një që ka ekzistuar 5,000 vjet më parë. Për këtë arsye, mishi edhe nuk do të dalë në shitje.